Në një moment tepër delikat për Greqinë që përpiqet të arrijë sa më shpejt një marrëveshje me huadhënësit për të marrë ndihmën financiare pasi arkat e shtetit janë pothuajse bosh, kryeministri grek Aleksis Tsipras në intervistën e tij të parë televizive pas ardhjes në pushtet, ka lënë të hapur mundësinë që t’i drejtohet verdiktit të popullit, jo nëpërmjet zgjedhjeve, por me anë të një referendumi popullor.

Duke shprehur besimin se gjërat nuk do të arrijnë në atë pikë dhe se do të shkohet drejt një kompromisi të ndershëm, Tsipras ka nënvizuar se në rast se marrëveshja me kreditorët kapërcen kufijtë e mandatit popullor që e solli në pushtet, ai nuk do ta shkelë atë.

“Po ja u them drejtpërdrejt. Ky verdikt më vendos kufij. Nëse konkludoj se do të kem një marrëveshje që më nxjerr jashtë këtyre kufijve dhe nuk kam më se ku të mbështetem, atëherë populli do të vendosë”, ka deklaruar Tsipras.

Qeveria greke vazhdon ende negociatat me kreditorët e saj sepse nuk pranon disa prej kushteve të tyre që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e punësimit, reduktimin e pagave dhe pensioneve dhe rritjen e TVSH-së. Ndërkohë duket se është rënë dakord për privatizimet.

Në mesin e muajit maj Athinës do t’i duhet t’i paguajë rreth 1 miliard euro FMN-së, por kryeministri grek ka ripërsëritur se prioriteti i qeverisë është të paguajë në fillim pagat dhe pensionet dhe më pas borxhet, duke shtuar se falimentimi nuk është në opsionet që ai ka për të ardhmen.

“Vizioni im nuk është një Greqi jashtë Europës, por një Greqi e barabartë në Europë. Një falimentim i vendit dhe dalje nga Eurozona do të ishte dështim edhe për zonjën Merkel, edhe për Greqinë”, është shprehur Tsipras.

Duke pranuar disa gabime në 3 muajt e parë të qeverisjes së tij, ai ka vënë në dukje se ka ende forca brenda dhe jashtë Greqisë të cilat i ngritën kurth qeverisë, duke synuar ta kthejnë në një parantezë, ta rrëzojnë duke mos përllogaritur pasojat.

I pyetur për rikompozimin e grupit të negociatave me huadhënësit, që u interpretua nga mediat e huaja dhe ato vendase si mënjanim i ministrit të Financave, Varufakis, Tsipras ka theksuar se ai e mbështet plotësisht ministrin e tij që i ka bezdisur partnerët, sepse e flet gjuhën e tyre më mirë nga sa e flasin ata vetë, sepse ka pikëpamje radikale dhe sepse nuk tërhiqet.

Intervista e Tsipras është komentuar në të gjitha mediat e huaja dhe sidomos ato gjermane.

Top Channel