Basha: Rama flet si Nikoliçi. Shqiptarët nuk vuajnë për aspiratë

28/04/2015 00:00

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, e ka cilësuar poshtëruese deklaratën e kryeministrit Edi Rama se shqiptarët kanë varfëri aspiratash.

Sipas Bashës, kjo deklaratë nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e ultranacionalistit serb Tomislav Nikoliç, kur pas ndeshjes me Serbinë tha se shqiptarët ishin popull i prapambetur dhe u duhej 200 vjet të bënin shtet.

“Asnjëherë nuk kemi patur problem me aspiratat, por me satrapët që centralizojnë pushtetin, që na mbyllin çdo rrugë për të ndërtuar me punë dhe dinjitet një jetë më të mirë në vendin tonë”, shkruan kreu i opozitës në një postim në Facebook, ku i bën thirrje kryeministrit të heqë dorë nga dekaratat haluçinante dhe mashtrimet.

Lulzim Basha thotë se shqiptarët nuk vuajnë nga mungesa e aspiratave, por nga qeveritarët deficentë që nuk ngrihen në nivelin e dëshirave dhe pritshmërive të tyre.

Ndërkaq, ditën e martë, turi i prezantimeve të kandidatëve të PD-së nisi në Gramsh, Cërrik, Belsh, Peqin e për të vijuar më pas në Devoll, Pustec, Pogradec e Maliq.

Gjatë prezantimit në Devoll të kandidatit Bledion Nallbati, Basha akuzoi dyshen Rama-Meta për situatën ekonomike në vend.

“Zbukurimet dhe përrallat që tregojnë në televizor Edi Rama dhe Ilir Meta i kanë për vete, le t’i mbajnë për vete. Asgjë nuk pi më ujë. Njerëzit e dinë, ekonomia është në krizë, është në depresion. Ekonomia e tyre qytetare, familjare dhe kombëtare po përjeton ditët më të vështira. Vetëm për ekonominë nuk flasin. Le t’ju themi sot, t’ju kujtojmë thënien e famshme të demokracisë amerikane në vitet ’90: “Nuk janë pallavrat o oligarkë, nuk janë llafet e bukura dhe gurët në trastë, nuk janë mashtrimet me të cilat keni fytyrë të vini e të kërkoni votën më 21 Qershor, është ekonomia ore idiotë”.

Në bindjen e kreut të opozitës, vota e shqiptarëve më 21 Qershor është momenti vendimtar për të ndëshkuar me votë keqqeverisjen dhe për t’i dhënë një shans të ri vendit: “Zgjedhjet e 21 Qershorit nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë vetëm zgjedhje vendore. Ato janë zgjedhje ku do të ushtojë nga gjiri i qytetarëve të bashkuar, të djathtë e të majtë, vendimi dhe gjykimi i drejtë politik me votën tuaj për keqqeverisjen Rama-Meta”.

Top Channel