Prefekti mbledh Komitetin Antitrafik: Një grup trafikantësh po luajnë me shpresat e njerëzve

28/04/2015 00:00

Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, mblodhi këtë të martë Komitetin Rajonal
Antitrafik, ku u diskutua situata e krijuar kohët e fundit lidhur me
ikjen masive të shqiptarëve, me shpresën e një azili në vendet e
Bashkimit Europian.

Megjithëse Tirana nuk kategorizohet si qark problematik, Prefekti Vorpsi tha se, situata na detyron të marrim masa për të parandaluar shfrytëzimin dhe trafikimin e qënieve njerëzore nga një grup përfituesish, që luajnë me shpresat e njerëzve.

Sipas tij, puna e Komitetit Rajonal Antitrafik është përqendruar kryesisht tek shtresat në nevojë, me probleme sociale dhe ekonomike, shtresa që janë më të ekspozuara ndaj këtij fenomeni.

“Roli i njësive të qeverisjes vendore në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet dhe organizatat aktive, do të sjellë rezultate pozitive duke parandaluar përhapjen e këtij fenomeni dhe njëkohësisht duke ofruar siguri e mbështetje ligjore ndaj personave që ndjehen të rrezikuar nga ky fenomen”, theksoi Vorpsi.

Komiteti, shtoi Prefekti i Tiranës, synon afrimin gjithmonë e më shumë ndaj familjeve në nevojë, grupeve apo personave dhe në çdo kohë praninë mbrojtëse dhe sigururese, si dhe informacionin se cila prej strukturave shtetërore është në dispozicion të tyre, për t’u garantuar dinjitetin, paprekshmërinë dhe barazinë njerëzore.

Komiteti ka hartuar një plan pune, ku parashikohet bashkërendimi i të gjitha veprimeve antitrafik, që kjo luftë të mos mbetet vetëm në kornizën e anëtarëve të këtij Komiteti, por të përfshijë të gjitha strukturat e qeverisjes vendore, siç janë bashkitë, komunat dhe njësitë bashkiake.

Prefekti Vorpsi shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për t’u angazhuar në vazhdimësi dhe për të ruajtur bashkëpunimin mes institucioneve dhe komunitetit.

Top Channel