ODIHR: Klima politike, e polarizuar; impakt tek zgjedhjet

28/04/2015 00:00

Ekspertët e ODIHR, pas një misioni faktmbledhës dyditor në Tiranë, publikuan mesditën e së martës një raport paraprak për zgjedhjet e 21 Qershorit.

“Klima politike është e polarizuar mes PS-së në pushtet dhe PD-së në opozitë, e cila pak kohë më parë i dha fund bojkotit parlamentar. Ekipi i OSBE/ODIHR, gjatë takimeve që pati, u shpreh se, ashpërsimi i retorikave politike mes partive do të ketë impakt negativ në zgjedhje”, thotë raporti.

Përsa i përket KQZ-së në këtë raport thuhet: “Bashkëbiseduesit nënvizuan se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe komisionet në nivel lokal janë të pambrojtur nga presioni politik dhe nuk kanë një konfidencë të plotë. Disa shqetësime na janë shprehur për ditën e zgjedhjeve që lidhen me procedurat e numërimit të tabulimit”, vijon raporti.

Por çfarë u është kërkuar ekspertëve të ODIHR-it gjatë takimeve në Tiranë?

“Bashkëbisedues të tjerë na kërkuan që OSBE/ODIHR të sjellë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve për të monitoruar të gjitha shkallët e procesit, në mënyrë të posaçme punën e administratës zgjedhore, regjistrimin e kandidatëve, fushatën elektorale dhe procedurat që do të ndiqen ditën e zgjedhjeve si numërimin, tabulimin dhe rezultatin”, nënvizohet në raport.

Ekspertët, në përfundimet e arritura, japin këtë rekomkandim për OSBE/ODIHR-in:

“Misioni faktmbledhës rekomandon dërgimin e një misioni vëzhgimi për zgjedhjet e ardhshme. Fillimisht duhet të dërgohen 24 vëzhgues afatgjatë për të ndjekur procedurat në të gjithë territorin e Shqipërisë. Më pas, një ekip me vëzhgues afatshkurtër prej 250 personash, për të ndjekur ditën e zgjedhjeve, procedurat, votimin, numërimin, tabulimin dhe rezultatin”.

 

Top Channel