Marinzë, përmirësohet cilësia e ajrit; ekspertët: Rreziku ende i pranishëm

28/04/2015 00:00

Instituti i Shëndetit Publik deklaron se niveli i metanit në ajër në Patoz Marinzë ka ardhur duke rënë, por ende nuk mund të thuhet se rreziku nuk është i pranishëm.

Specialistë të ISHP kanë bërë matjet e ajrit nga 1 deri në 1.5 metër mbi nivelin e tokës, duke monitoruar oksigjenin, hidrokarburet alifatike, siç është metani, sulfuri i hidrogjenit, dioksidi i karbonit, përbërës organikë të avullueshëm, etj.

Pas matjeve të bëra në pika dhe në orare të ndryshme, niveli i tyre në ajër përllogaritet brenda normës së lejuar të BE dhe Shqipërisë prej 4.1 për qind.

“Kemi evidentuar edhe prani të gazit metan në ajrin e jashtëm në ditët e para pas shpërthimit. Por më pas, në matjet e mëvonshme, këto përqendrime kanë ardhur në ulje. Vlerat kanë qenë në përqindje nga 13.8, që ndërkohë norma është 4.1, por që më pas janë ulur në 0.8% dhe pritet që të kenë rënë më tepër. Por risku nga këto gazra nuk është eleminuar totalisht”, thotë eksperti Genci Dervishi.

Specialistët e ISHP-së kanë bërë matje edhe për ajrin në ambjente të brendshme, në shtëpitë e banorëve, ku ajri nuk rezulton shumë i ndotur.

“Sa i takon cilësisë së ajrit të brendshëm, nuk është evidentuar prania e impaktit të ajrit të jashtëm, por janë efekte që krijohen nga impakti i mjediseve të brendshme dhe aktiviteteve të vetë banorëve. Por edhe këto janë me vlera nën normë. Ndërkohë është ndjekur gjithë simptomatologjia e verifikuar nga ambulanca e Marinzës, intoksikimi i banorëve, që ka ardhur në ulje dhe rrjedhimisht tregon rënie të këtyre faktorëve”, saktëson Dervishi.

Megjithatë, specialistët ende nuk japin garanci për ajër të pastër në Patos Marinzë derisa të kryhen studime të mirëfillta.

Top Channel