Dhoma gjermane e Tregtisë: Tendenca ekonomike është pozitive

28/04/2015 00:00

Në vrojtimin e kryer nga Dhoma gjermane e Tregtisë me bizneset e pranishme në Shqipëri, ambasadori Hoffmann u kujdes të veçonte një përfundim mbi të tjerët.

“Ajo që dua të nënvizoj është vetëm një fjali në kapitullin e tretë, e cila thotë që tendenca e zhvillimit ekonomik në vend është qartësisht pozitive”, tha Helmut Hoffmann, ambasadori gjerman në Tiranë.

“Kjo tendencë përforcohet edhe nga pritshmëritë optimiste, që bizneset kanë për të ardhmen. Për herë të parë, 30 për qind e ndërmarrjeve besojnë se ekonomia do të përmirësohet vitin e ardhshëm. Vitet e shkuara kjo shifër ka qenë dukshëm më e ulët”, tha Anette Kasten, sekretare e Përgjithshme e DIHA.

Por ndonëse shprehen se, klima e biznesit dhe gjendja ekonomike e vendit është përmirësuar, kompanitë gjermane sërish e klasifikojnë Shqipërinë ndër vendet e fundit në rajon, ku do preferonin të bënin biznes.

“Kjo është një pyetje, që ne e kemi bërë edhe në të shkuarën dhe unë besoj, që ky rezultat është i lidhur kryesisht me faktin, se Shqipëria është pak e njohur jashtë”, u shpreh më tej Anette Kasten.

Nga ana tjetër, edhe gatishmëria e bizneseve ekzistuese për të investuar ka rënë fortë, duke u përlasur me vlerësimet e tyre pozitive për ekonominë.

“Kjo është kontradikta klasike mes mikro dhe makroekonomisë. Shqipëria është në rrugë përmirësimi, por kjo padyshim kërkon kohë, kërkon durim dhe parà. Shqipëria ka miratuar një sërë ligjesh të reja për taksat dhe tatimet gjatë këtij viti dhe, në momentin e parë, këto ndryshime i frenojnë sipërmarrjet”, deklaroi Anette Kasten.

Ky është një vrojtim, që Dhomat gjermane të Tregtisë e kryejnë në 22 vende të rajonit dhe shërben si një pikënisje e fortë në vendimet e kompanive gjermane për të investuar jashtë.

Top Channel