OKB: Ndalni gjuhën e dhunës në media

28/04/2015 00:00

Agjencia e OKB-së për të drejtat e njeriut këmbëngul se duhet bërë më shumë për të frenuar fjalimet e urrejtjes në shtypin e shkruar. Reagimi i saj vjen pas artikullit të Katie Hopkins, botuar nga tabloidi britanik ‘The Sun’, ku gazetarja i quante emigrantët “buburrecë”.

Shkrimi u publikua më 17 prill dhe një ditë më vonë, në ujërat e Mesdheut do të konsumohej tragjedia që vuri në lëvizje vendet e Bashkimit Europian: 800 vetë, mes të cilëve gra e fëmijë, u mbytën në përpjekje për të arritur brigjet e Italisë. Për zyrtarët e OKB-së, artikulli ishte shembulli më ekstrem i frymës kundër të huajve që po zë vend gjithmonë e më shumë në tabloidet britanike.
 
Rupert Colville, zëdhënës i OHCHR-së, u shpreh: “Fjala buburrec, e përdorur për të përshkruar emigrantët, ka një rezonancë të tmerrshme. Është fjala që përdornin nazistët kur i referoheshin hebrenjve apo njerëzve të tjerë, që nuk pëlqenin. I quanin furrtare të zeza, minj, ashtu siç ndodhi edhe gjatë gjenocidit të Ruandës në vitin 1994. Këto etiketime përdornin për Tutsit, të cilët i masakruan. Buburrecë i quanin në radio dhe në gazeta. Në fund, personat përgjegjës për ato organizma mediatike u dënuan edhe ata për gjenocid”.
 
Policia në Britani thotë se ka marrë një numër të madh ankesash që shkojnë deri te nxitja e urrejtjes dhe po e shqyrton çështjen me përparësi. Rregullatori i shtypit IPSO pohon se ka mbi tryezë më shumë se 300 ankesa për artikullin polemizues dhe ka nisur një hetim për të parë nëse botuesit kanë shkelur rregullat e etikës me publikimin e tij. Një peticion “online” për dorëheqjen e Hopkinsit u nënshkrua nga më shumë se 280 mijë persona, ndërsa një nismë e ngjashme, ku kërkohej ngritja e akuzave ndaj saj, ka marrë gati 30.000 firma.

Top Channel