Al-Khelaifi alarmon Juven: Jam takuar me Pogbanë

28/04/2015 00:00

Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi ka pranuar se është takuar me yllin e Juventusit, Paul Pogba, i cili mbetet objektivi kryesor i kampionëve francez për merkaton e verës.

“Po, jam takuar me Pogbanë sepse ai është një talent i madh”, ka thënë sheiku i cili ka alarmuar tifozët e “zonjës”.

Po ashtu, numri një i parisienëve ka shuar polemikat për një largim të mundshëm të sulmuesit Edison Cavani. “Edison ka nevojë për më shumë besim sepse e njohim talentin e tij. Ai do jetë sezonin tjetër te PSG-ja dhe nuk do largohet për më pak se 50 milionë euro”, ka vazhduar ai.

Al-Khelaifi i ka dhënë besim trajnerit Laurent Blanc si dhe yllit të skuadrës Zlatan Ibrahimovic. “Kam besim të plotë në trajnerin Blanc, po ashtu edhe te Ibra, këta të dy bashkë me Pastoren do jenë pjesë e klubit deri në realizimin e ëndrrës sonë që është Championsi”, ka deklaruar sheiku.

Deklarimet e fundit të presidentit të PSG-së nuk kanë kaluar pa polemika, sidomos për Lavezzin, ish-lojtarin e Napolit që po kërkohet nga disa skuadra europiane dhe me shumë gjasë do të largohet këtë verë për t’i hapur rrugë lojtarëve të rinj.

Top Channel