Shqipëri-Kanada, nënshkruhet marrëveshja për njohjen e pensioneve

28/04/2015 00:00

Në vizitën zyrtare në Kanada, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati firmosi marrëveshjen për njohjen e kontributeve shoqërore për mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada.

Me homologun kanadez, ministri Bushati vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që karakterizohen nga një frymë e konsoliduar e miqësisë, vlerat që dy vendet ndajnë ndaj demokracisë, si dhe partneriteti i ngushtë në NATO.

Shefi i diplomacisë shqiptare shprehu mirënjohjen për mbështetjen e plotë që Kanadaja ka dhënë ndër vite për integrimin euro-atlantik të Shqipërisë, asistencën ushtarake, financimin e projekteve të ndryshme në Shqipëri, ndërsa vuri theksin tek nxitja e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare.

Ministri Bushati vlerësoi si tepër të rëndësishme rritjen e pranisë së kompanive kanadeze në Shqipëri dhe evidentoi faktin që Kanadaja është investitori i parë në vend, që krijon nevojën për të strukturuar më tej marrëdhëniet dypalëshe, nëpërmjet instrumentëve ligjore të përditësuar në fushën e taksimit të dyfishtë dhe mbrojtjes së investimeve.

Në takimin me Kryetarin e Dhomës së Ulët të Parlamentit kanadez, ministri Bushati përgëzoi Grupin e Miqësisë Kanada-Shqipëri për lobimin e tyre në favor të tërheqjes së investimeve kanadeze në Shqipëri dhe rritjes së informacionit për vendin tonë.

Gjatë kësaj vizite, ministri Bushati pati gjithashtu takime me personalitete të larta të Senatit dhe Dhomës së Ulët, si dhe përfaqësues të diasporës në Kanada.

 

Top Channel