Nepal, kryeministri: Numri i viktimave mund të shkojë në 10 mijë

28/04/2015 00:00

Njerëzit e bllokuar nëpër fshatrat e largëta të Nepalit janë ende në pritje të ndihmave lehtësuese, të cilat ishin paralajmëruar se do të mbërrinin këtë të martë, 4 ditë pas tërmetit shkatërrimtar, që sheshoi ndërtesa të tjera dhe la të pakalueshme rrugë të shumta, duke shkaktuar edhe humbjen e mbi 4600 jetëve.

Qeveria ka bërë të ditur se ende nuk ka bërë një vlerësim të përgjithshëm të shkallës së dëmeve të tërmetit me magnitudë 7.9 të së shtunës, që u pasua të dielën nga një tjetër tronditje prej 6,7 ballësh, kjo për shkak se është e pamundur të shkohet nëpër zonat malore, edhe pse ndihmat humane dhe personelet e shpëtimit kanë ardhur me shumicë nga anembanë botës.

Kryeministri Sushil Koirala tha për “Reuters” se numri i viktimave mund të arrijë deri në 10 mijë, pasi të mblidhet edhe informacioni për dëmtimet dhe jetët e humbura nëpër fshatrat e rajoneve më të largëta të Nepalit. Me këtë paralajmërim ndoshta mund të tejkalohet edhe numri prej 8500 viktima të shënuara gjatë tërmetit tjetër më të madh në vitin 1934, fatkeqësia që konsiderohej si më e madhja që kishte goditur kombin e vendosur buzë Himalajeve.

Ndërkaq, sipas “Times of India”, bilanci i viktimave ka arritur në 5057 dhe mbi 8200 të tjerë janë të plagosur. Vendet më të prekura nga tronditjet janë plot 9: Sindhupalchowk, Kathmandu, Nuwakot, Dhading, Bhaktapur, Gorkha, Kavre, Lalitpur e Rasuwa.

Top Channel