Jahjaga në Abu Dhabi, firmos donacionin prej 22 milionë euro për ndërtimin e një spitali të ri

28/04/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka nënshkruar në Abu Dhabi marrëveshjen për një donacion prej mbi 22 milionë euro për ndërtimin e një spitali të ri Pediatrik-Kirurgjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Donacioni është dhënë nga Sheikja Fatima bint Mubarak dhe vjen pas një sërë takimeve të Presidentes Jahjaga në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Presidentja Jahjaga u shpreh se spitali i ri do të ndihmojë në përmirësimin e përkujdesjes shëndetësore ndaj nënave fëmijëve në Kosovë. Ajo e falënderoi Sheiken Fatima bin Mubarak për këtë ndihmë dhe theksoi se spitali do ta mbajë emrin e saj, në shenjë respekti dhe falënderimi për këtë donacion.

Spitali i ri pritet të fillojë nga ndërtimi gjatë verës së këtij viti dhe të gjitha punimet të përfundojnë brenda një  viti.

Projekti përfshin specializime në shërbime shëndetësore të porsalindurve, ortopedi, neurologji, urologji, endokrinologji, kardiologji, onkologji, hematologji dhe mjekësi emergjente.

Top Channel