Irani sekuestron anijen tregtare, SHBA dërgon anijen luftarake “Farragut”

28/04/2015 00:00

Tashmë është konfirmuar zyrtarisht. Irani ka shtënë nën kontrollin e tij një anije tregtare me flamurin e Ishujve Marshall dhe ekuipazhin prej 34 personash të saj, të cilët i akuzojnë për shkelje të ujërave territorialë iranianë, siç bëjnë të ditur zyrtarë të Pentagonit, të cilët konfirmojnë gjithashtu se Marina e Shteteve të Bashkuara ka dërguar menjëherë një anije luftarake shkatërruese drejt Gjirit Persik, si kundërpërgjigje.

Një zyrtar i Pentagonit në Uashington tha se anija tregtare me mallra, “Maersk Tigris”, është ndaluar nga disa varka patrullimi të Trupave të Rojeve Revolucionare Islamike gjatë së martës, teksa ishte duke udhëtuar përmes ngushticës së Hormuzit në Gjirin Persik, në atë që zyrtari e quajti si “një rrugë detare të njohur ndërkombëtarisht”.

Forcat iraniane, sipas po të njëjtit zyrtar të mbrojtjes amerikane, kontaktuan me anijen dhe i kërkuan kapitenit të saj të devijonte larg ujërave territorialë të Iranit. Kur kapiteni refuzoi fillimisht, Irani qëlloi me armë drejt anijes, duke detyruar nënshtrimin e ekuipazhit të anijes. Menjëherë pas të shtënave, anija tregtare lëshoi alarmin “SOS”, duke detyruar Marinën e Shteteve të Bashkuara të drejtonte menjëherë për në vendngjarje “shkatërruesin” Farragut, i cili sipas Pentagonit është vetëm 60 milje larg.

Ai tha se deri më tani nuk ka pasur asnjë komunikim mes Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por shtoi se në gjendje gatishmërie është edhe një anije amerikane që shërben për ngritjen e avionëve luftarakë, e cila po monitoron situatën.

Episodi në fjalë mund të ndikojë padyshim në negociatat e brishta të armëve bërthamore mes Shteteve të Bashkuara, 5 superfuqive të tjera të botës dhe Iranit, në përpjekje për të shuar ambiciet bërthamore të Teheranit. Një marrëveshje kuadër e arritur gjatë këtij muaji në Zvicër bën thirrje ndaj Teheranit të frenojë pasurimin e uraniumit, në këmbim të lëhtësimit të sanksioneve.

E megjithatë, pavarësisht këtyre masave, zyrtarët e mbrojtjes amerikane kanë deklaruar se nuk ka asnjë marinar amerikan në bordin e asaj anijeje. Ishujt Marshall janë një Republikë Presidenciale me lidhje të pavarura me Shtetet e Bashkuara, që siguron qasje në shërbimet sociale, por edhe për mbrojtjen dhe subvencione.

Top Channel