Rriten eksportet, INSTAT: Marsi me +4%, tremujori -1.9%

28/04/2015 00:00

Pas disa muajsh rënie, ritmi i eksporteve u përmirësua në Mars. Të dhënat e fundit zyrtare nga INSTAT tregojnë se muajin e kaluar shitjet e kompanive shqiptare jashtë u rritën me 4 përqind krahasuar me një vit më parë.

Sipas INSTAT, rritja ka ardhur kryesisht nga eksportet në grupin e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, si dhe të makinerive e pajisjeve që u zgjeruan me 2.5 miliardë lekë.

Por edhe pse në Mars u rritën me 4 përqind, në total për tremujorin eksportet këtë vit janë rreth 1.9 përqind më të ulëta se një vit më parë. Kjo për shkak të ngadalësimit të fortë në eksportet e naftës dhe mineraleve, të cilat kanë rënë me 30 përqind krahasuar me 2014-ën, ose në vlerë 6.2 miliardë lekë më pak.

Ky është viti i dytë që eksportet e energjisë dhe mineraleve bien për shkak të konjukturës të pafavorshme në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht rënies së fortë në çmimin e naftës.

Por ndonëse vitin e kaluar kjo rënie u kompensua nga zgjerimi dyshifror i eksporteve të fasonit, këtë vit këto të fundit kanë ecuri stanjative.

Në kahun tjetër të shkëmbimeve, importet u rritën me 1.4 përqind si tremujor. Por brenda tyre, rritjen më të fortë e kanë shënuar importet e makineri-pajisjeve. Sipas INSTAT për periudhën Janar-Mars, bizneset blenë 22 përqind më shumë makineri dhe pajisje nga jashtë, një tregues që shton shpresat për rritjen e investimeve në ekonomi.

Top Channel