Në kuadër të skandalit të përgjimeve, partia opozitare LSDM publikoi një bisedë, për të cilën thotë se është zhvilluar mes kryetarit aktual të Parlamentit shqiptar, Ilir Meta, me kreun e PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi.

Kjo bisedë, që sipas opozitës është zhvilluar në Nëntor të vitit 2012, është publikuar në mënyrë të transkriptuar në gjuhën maqedonase. Bëhet fjalë për një bisedë telefonike, ku Menduh Thaçi fton Metën në Tetovë, në një manifestim të organizuar nga Partia Demokratike Shqiptare.

Menduh Thaçi: Si je?
Menduh Thaçi: Mos po të pengoj?
Ilir Meta: Jo, jo. Tani e pashë. Kërkoj falje, sepse tani e pashë.
Menduh Thaçi: Mirë, mirë. Të shtunën do të organizoj një manifestim modest dhe kam dëshirë që të vish. Kam ftuar vetëm Daut Haradinajn dhe ty. Ke mundësi të vish?
Ilir Meta: Në Tetovë?
Menduh Thaçi: Po, po, rreth orës 4. Nuk do të ftoj askënd tjetër. Kam dëshirë të vish.
Ilir Meta: Do të vij patjetër, do të lë të gjitha detyrimet e tjera.
Menduh Thaçi: Falemnderit shumë. Domethënë të shtunën, ora 16.
Ilir Meta: Mirupafshim.

Dokumentet që ka prezantuar opozita përmbajnë biseda të shumta të politikanëve në Maqedoni. Në një konferencë për mediet, udhëheqësi i LSDM-së prezantoi materiale audio dhe të transkriptuara, që sipas tij zbulojnë se afera e përgjimeve masive është kryer nga pushteti.

“Materialet që po iu prezantojmë dëshmojnë për atë që kemi folur në fillim të këtij procesi. Të dhënat dhe bisedat e përgjuara janë nga sistemi aktual për ndjekjen e komunikimeve, nga Drejtoria për Sigurim dhe Kundërzbulim pranë MPB-së. Çfarë shërbimesh të huaja, çfarë furgonë, çfarë spiunimi. Sasho Mijalkov dhe Gruevski prej vitesh dhe në mënyrë të paligjshme kanë kryer përgjime”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Zaev paralajmëroi se në muajin Maj, opozita do të organizojë protesta masive deri në rrëzimin e kryeministrit Nikola Gruevski nga pushteti.

Top Channel