PD: Rama, producent fasadash që e zhyti vendin në papunësi e varfëri

28/04/2015 00:00

Partia Demokratike ndan një qëndrim krejt të kundërt nga kryeministri Edi Rama kur bëhet fjalë për estetikën e qyteteve. Opozita reagoi pas fjalës së Ramës në forumin “Kantieri i Rilindjes Urbane”.

“Rama u tregoi qytetarëve të vendit se është një producent i dobët shfaqjesh televizive. Milionat që ai po shpenzon për fushatë elektorale, me fasada qytetesh, nuk kanë ndihmuar askënd, përpos klientelës që po pasurohet me këto tendera. Fasadat, sidomos ato që lyhen vetëm nga faqet e shesheve, nuk sjellin zhvillim. Në të kundërt, përse 16 mijë qytetarë të vendit, sipas raportimeve të mediave serioze, kanë lënë vendin vetëm në 3 muaj, në një eksod të dëshpëruar pa fund e pa krye, vetëm për t’i ikur skamjes? Cilin shqiptar kanë ndihmuar milionat e bëra rrush e kumbulla për trille dekorative e pasurim klanesh?”- deklaron Partia Demokratike përmes një komunikate shpërndarë për mediat.

Për demokratët deklaratat e Ramës janë një provokim dhe më 21 Qershor, sipas tyre, Rama do të marrë vlerësimin e publikut dhe popullit që po e shtyp dhe sundon me arrogancë dhe arbitraritet.

Top Channel