Rusia, sekuestro fabrikës së “Mbretit të çokollatave”, Poroshenko

28/04/2015 00:00

Autoritetet ruse kanë sekuestruar asetet e një fabrike ëmbëlsisrash të zotëruara prej Presidentit ukrainas, Petro Poroshenko, në qytetin rus të Lipetskut me synimin për të bllokuar shitjen e tyre, bëri të ditur kompania “mëmë” Roshen gjatë së martës.

Që prej Marsit të vitit 2014, kur Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë dhe rebelët prorusë nxitën një kryengritje në Ukrainën lindore, fabrika e Lipetskut është sulmuar shpesh nga policë të armatosur, është bojkotuar, por edhe akuzuar nga politikanët rusë si mbështetëse e ekstremizmit.

“Është e sigurt të njoftojmë se pala ruse po ndërmerr qëllimisht të gjitha hapat e mundshme për të parandaluar kompaninë të shesë asetet e saj në Rusi”, bëri të ditur Roshen përmes një deklarate të shkruar. Kompania “mëmë” tha gjithashtu se do të apelonte ndaj vendimit të një gjykate ruse për të sekuestruar asetet e saj, që kapin vlerën e rreth 2 miliardë rublave, apo 39 milionë dollarë.

Poroshenko, i cili njihet ndryshe edhe me pseudonimin “Mbreti i çokollatave”, premtoi se do të shiste Roshenin kur u zgjodh udhëheqës i vendit në Maj, një fabrikë që ka marrë emrin nga dy rrokjet e mesit të mbiemrit të Petros dhe shitjet vjetore të së cilës, përpara krizës, kapnin shifrat e 1,2 miliardë dollarëve.

Gjithsesi, konflikti lindor dhe kriza ekonomike që rezultoi më pas kanë komplikuar seriozisht procesin e shitjeve, ndaj dhe asnjë marrëveshje shitjeje nuk është bërë e ditur deri më sot.

Top Channel