PS, Balla: Grida Duma ka probleme me drejtësinë

28/04/2015 00:00

Pas një liste të publikuar me emrat e deputetëve të dyshuar si të inkrimimuar, ka reaguar kanidatja e PD-së për Durrësin, Grida Duma.

“Lista, ku bënte pjesë edhe emri im, është një sajesë e trashë që buron nga paniku i humbjes së afërme. E shoh si kamerdare të shpuar turpi, që i hidhet që nga Tirana të “Turpëruarit të Vogël” këtu në Durrës. Nuk e shpëton dot nga fundosja. Kam kuptuar një gjë këto ditë me qytetarët e Durrësit e rrethinave: durrsakët i kanë pritur me padurim këto zgjedhje për të larguar Vangjush Dakon. Akuzat që lexohen në Tiranë janë tregues se atje e kuptojnë se ç’i pret në Durrës. Për këtë alarmohen dhe shpifin”, thuhet në reagimin e Grida Dumës.

Pas kësaj, reagoi dhe nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i cili i bëri thirrje zonjës Duma të dëshmojë para shqiptarëve historinë e mashtrimit të saj dhe ortakut të saj në biznes ndaj qytetarëve, që u kanë shitur nga dy herë apartamente. Mashtrim për të cilin, Balla deklaron se prokuroria i ka konsideruar fajtorë, duke vuajtur dënimin me burg partneri i saj, i cili është në cilësinë e administratorit të kompanisë.

“Po ashtu, nëse ka dëshirë të jetë transparente, zonja Duma mund të flasë sesi u përfshi në një operacion financiar me një bankë tjetër për të shlyer problemin e mashtrimit me kompaninë e saj, çfarë pasurish ka vënë si barrë hipotekore dhe nëse është nën hetim për këtë çështje apo jo”, thuhet në reagimin e deputetit Balla.

Në fund, Taulant Balla thekson se zonjën Duma nuk e ka çuar në prokurori dhe gjykatë PS-ja, por ish-ortakë të saj, të cilëve u ka hyrë në pjesë në bizneset e tyre familjare dhe tani është duke pastruar historitë e saj.

Top Channel