Tërmeti në Nepal, nis shpërndarja e ndihmave në zonat e thella

29/04/2015 00:00

Ndihmat kanë nisur të mbërrijnë në rajonet e thella pranë epiqendrës së tërmetit shkatërrimtar të së shtunës në Nepal.

Përpjekjet për të asistuar personat në nevojë vazhdojnë në luginën e Katmandusë, e sipas OKB-së reagimi po zgjerohet, duke përfshirë edhe zona të tilla si Dhadingu dhe Gorkha.

Më shumë se 5000 jetë të humbura është deri tani bilanci i tërmetit 7,8 ballësh. Shumë nga të mbijetuarit kanë nevojë urgjente për ushqime dhe ujë, ndërsa frika e paslëkundjeve që nuk rreshtin i ka shtyrë njerëzit të presin në radhë të gjata për të marrë autobusët e për t’u larguar nga kryeqyteti.

Qeveria ka ofruar transport falas e po përdoren edhe mikrobusët e shkollave për të lehtësuar disi shërbimet tejet të ngarkuara të lëvizjes.

Operacionet e shpëtimit, të ndërprera për shkak të kushteve të rënduara atmosferike, rinisën gjatë së mërkurës. Forcave lokale të policisë dhe personelit ushtarak, që po u drejtohen fshatrave të izoluar në rajonet më të thella, u janë bashkuar edhe ekipe ndërkombëtare specialistësh.

Lëkundjet e vazhdueshme të tokës, rrëshqitjet e dheut dhe dëmtimet e mëdha të infrastrukturës, në atë që është një prej vendeve më të varfra të Azisë, i kanë penguar shumë përpjekjet e kërkim-shpëtimit.

Mbi 8 milionë vetë në 39 rajonë janë prekur nga tërmeti, thonë zyrtarë të Kombeve të Bashkuara. Të plagosurit, sipas të njëjtave burime, janë mbi 10000.

Me mijëra vetë vazhdojnë të qëndrojnë në kampe të përkohshme, në kushte tepër të vështira, me shumë pak ujë e ushqime në dispozicion. Zyrtarët vendas i druhen shpërthimit të ndonjë epidemie, ndërsa pranojnë se shkalla e dëmtimeve është edhe më e lartë nga sa u mendua fillimisht, dhe shpërndarja e ndihmave në zonat e largëta është sfidë e madhe.

Shpresat për gjetjen e të mbijetuarve, megjithatë nuk janë fashitur krejtësisht, të ushqyera edhe nga episode si ai i gjetjes së një 28-vjeçari të bllokuar prej më shumë se 80 orësh në rrënojat e një ndërtese në Katmandu, pranë tre trupave të vdekur.

Deri tani, nga gërmadhat janë nxjerrë 14 persona. Në nder të viktimave të fatkeqësisë natyrore, në Nepal po mbahen tri ditë zie kombëtare.

Top Channel