Kërcënimi nga rënia e kredive, Sejko: Rigjallërimi, përcaktues për rritjen ekonomike

29/04/2015 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko deklaroi në Kuvend se, ngërçi i kredisë dhe rritja e dobët e saj është sfida më e madhe për ekonominë.

“Aktualisht kredia vuan si nga kërkesa e dobët dhe jo cilësore, ashtu dhe nga politikat konservatore të kreditimit të bankave. Ndaj, në gjykimin tonë, kredia do të shënojë një rritje modeste gjatë vitit 2015”, tha guvernatori i BSH, Genti Sejko.

Guvernatori tha se, rigjallërimi i kredisë do të jetë përcaktues për daljen e ekonomisë nga ngërçi dhe përshpejtimin e rritjes. Por, sipas tij, kjo kërkon uljen e rreziqeve, që bankat perceptojnë në ekonominë shqiptare.

“Për këtë arsye, vlerësoj se ulja sistematike e rrezikut të kreditimit duhet të trajtohet si një çështje me interes kombëtar, e cila duhet të bëhet objekt i punës së koordinuar mes autoriteteve publike në vend”, deklaroi më tej guvernatori Sejko.

Por përtej faktorëve të brendshëm, ecuria e kredisë do të varet dhe nga një e panjohur tjetër: sjellja e bankave që vijnë nga vendet e Eurozonës dhe planet e tyre për rajonin, përfshirë Shqipërinë.

“Në termat më praktikë, kjo nënkupton që prania e filialeve të bankave të huaja në vendet e rajonit po i nënshtrohet një vlerësimi të kujdesshëm, për të përcaktuar efektivitetin e tyre dhe vijimin e veprimtarisë”, u shpreh Genti Sejko.

Guvernatori tha se Banka Qendrore ka ndërmarrë një sërë masash për të forcuar sistemin bankar, duke rritur kërkesat për kapitalin dhe shtrënguar mbikëqyrjen.

“Në një nivel më operacional, po vazhdojmë të kryejmë analiza periodike dhe procese të tjera, të cilat synojnë të realizojnë: së pari, një vlerësim sa më profesional të gjendjes financiare dhe të rreziqeve të veprimtarisë së bankave të veçanta dhe të sektorit bankar e financiar në tërësi; dhe së dyti, një kuadër sa më të plotë të trajtimit dhe të zbutjes së rreziqeve për stabilitetin e sistemit financiar”, tha Gent Sejko.

Vitin e kaluar, kredia për ekonominë u rrit me 2.1 për qind, por në tremujorin e parë të këtij viti kreditimi u ngadalësua sërish, ndërsa vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë paralajmëron se kredia do të qëndrojë e shtrënguar edhe për tremujorin e ardhshëm.

Top Channel