Maqedoni, Thaçi: Në Bruksel të përfaqësohen edhe partitë shqiptare

29/04/2015 00:00

“Maqedonia ndodhet para një sfide shumë të madhe, ndaj rikthimi i dialogut të mirëfilltë politik mes forcave kryesore politike është me rëndësi të veçantë”.

Kështu është shprehur kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, i cili vlerëson se është i gabuar formati aktual i bisedimeve në Bruksel për krizën politike vetëm mes dy partive maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM-së.

Sipas tij, negociatat për tejkalimin e situatës duhen zhvilluar mes 4 forcave kryesore politike në vend. Kreu i PDSH-së opozitare, këto qëndrime i ka prezantuar para anëtarëve të delegacionit të Komisionit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku është biseduar për zhvillimet aktuale në Maqedoni, incidentin në Goshincë dhe krizën politike.

Thaçi ka siguruar bashkëbiseduesit se, gjatë këtij procesi tejet delikat, partia që drejton ai do të vazhdojë me politikën e saj konstruktive e të përgjegjshme dhe nuk do të bëhet pre e aventurave të mundshme që do ta dëmtonin demokracinë dhe perspektivën euro-atlantike të shqiptarëve dhe të vendit në përgjithësi.

Top Channel