Kavajë, Basha prezanton kandidatët e opozitës: Kryetari aktual fsheh emrin nga e kaluara

29/04/2015 00:00

Demokratët kërkojnë të rimarrin drejtimin e Kavajës nëpërmjet Ëngjëll Carës dhe prezantimi i tij në Kavajë ishte një rast që Lulzim Basha të identifikonte ato që i quan “dështime të qeverisjes qendrore me qeverisjen lokale të Kavajës”.

“Ecjen mbrapa, depresionin ekonomik, papunësinë dhe vrasjen e shpresës që janë gjëmat e mëdha të Ramës, Metës dhe të Ervin, alias Elvis Roshit”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha se kryetari i Bashksie së Kavajës ka një identitet të dyfishtë për t’i shpëtuar të kaluarës kriminale, por tani po u fshihet qytetarëve sepse ai dhe qeveria e tij nuk mbajtën asnjë premtim.

“Kush janë këta 97 për qind që paguajnë më pak taksa? Të gjithë paguajnë më shumë. Faturat e energjisë elektrike kanë kapur nivele të paimagjinueshme e të papërballueshme”, theksoi Basha.

Kreu i opozitës prezantoi edhe kandidatët e Rrogozhinës, Divjakës dhe Lushnjes, duke i kushtuar rëndësi kryesore peshës së votës të çdo qytetari për të zhbërë sa më shpejt pasojat e zgjedhjeve të dy viteve më parë.

“Ju do të vendosni nëse me votën tuaj do të miratoni politikën e lakut në fyt për mijëra e mijëra familje, apo do ta hiqni këtë lak dhe do ta varni në qafën e qeverisë së pashpirt Rama-Meta. Ju do të vendosni me votën tuaj nëse do të gëlltisni edhe njëherë politikën e mashtrimit, gënjeshtrës dhe nëse do të poshtroheni për herë të dytë, nëse thesi i milellit apo 20-30 mijëlekëshi do t’ju bëjë të lidhni kontrata individuale me të cilat ata blejnë shpirtin tuaj deri në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Basha.

Në të gjitha takimet me qytetarët në prezantimin e kandidatëve demokratë lejtmotivi i kreut të opozitës ishte një thirrje e pastër polititke për shndërrimin e votës së 21 qershorit në një votë kundër qeverisë, për të rikthyer në vend shpresën nëpërmjet punës dhe trajtimit me dinjitet si qytetarë të barabartë.

Top Channel