Profetët janë në dilemë

29/04/2015 00:00

Artan Mullaj – Jehona për pastrim, parë si çështje e ditës, është ende thjesht një zhurmë e largët për të qenë një realitet. Për më shumë që, sa më shumë të flitet për ndotjen, aq më e vështirë është të kuptohet se nga kush dhe si mund të bëhet pastrimi i saj. Analiza dhe perspektiva e gjendjes kompleksohen aq më shumë nëse konsiderojmë se thelbi i strategjisë së pastrimit, nuk mund të bëhet nga po ata që shkaktuan ndotjen…

Me “ndotje morali” në këtë rast nuk kemi parasysh thjesht e rëndom integritetin e munguar të shumicës së politikanëve shqiptarë. Nuk kemi parasysh vetëm premtimet e dhëna e të pambajtura, mashtrimet publike, abuzimet dhe korrupsionin mizor që ka mbërthyer prej vitesh këtë vend. Dihet që Shqipëria ka pjellë një klasë politike në përmasën e mallkimit të vetvetes; si për një makabritet të fatit, duke qenë një “nënë”, ajo është shqyer e shlyer egër nga vetë bijtë e saj në pushtet. Shqipëria është ende e mjerë, sepse ajo është udhëhequr për shumë vjet nga babëzia. Shqipëria është ende e varfër, sepse është sunduar nga hajdutë mediokër, por të pasur. Shqipëria nuk ka të ardhme të qartë, sepse politika është e paqartë dhe e njollosur. Shqiptarët janë në agoni, sepse politikanët janë në delir. Por nuk po flasim për këtë lloj të ndotjes të imazhit publik të politikës, për shkak se rëndom edhe hidhur, mashtrimet, korrupsioni, padrejtësia dhe pandershmëria janë shndërruar në rutinë, pra në normalitet te ne…

Me “ndotje morali” në këtë rast pra kemi parasysh tjetër gjë. Po flasim për kriminalizimin e politikës, që është më shumë sa përmendëm dhe është një superndotje, në përfytyrimin e një mallkimi kombëtar.

Të kthejmë kokën pas! Në gjithë këto vite shqiptarët kanë përjetuar dhunën e një sistemi, që më shumë se liri ka prodhuar dëshpërim. Vështirë t’i bësh opozitë konstatimit se demokracia shqiptare e tranzicionit ka probleme. Dihet që ka qenë vulgare dhe e dhunshme. Ndoshta jo diktaturë, por shpesh është ndodhur një hap larg asaj. Besimtarët dhe dëshmitarët e pafajshëm të këtij vendi e kanë të qartë që vendi, supozuar i kapur nga një sistem shoqëror, është një vend pa demokraci dhe jo vetëm. Shumë të tjerë supozojnë që drejtësia e këtij vendi është një sistem pa liri. E theksoj! Shumë! Shumica e qytetarëve të këtij vendi besojnë se politika, për të mos thënë një pazar interesash korruptive, ka qenë dhe është një instrument i shëmtuar në duar politikanësh pa integritet. Për shumicën e shqiptarëve, midis të gjithave, mungesa e shpresës ka qenë më e qarta. Mjafton të ngremë disa pyetje të thjeshta për të shpjeguar në mënyrë fëmijërore logjikën e këtij argumenti: Kush janë politikanët më të spikatur në këtë vend? Përgjigjja është: Ata që janë më të pasur. Kush janë politikanët më të pasur në këtë vend? Ata që janë më të ndotur, më të përfolur, më të korruptuar. Kush janë politikanët më të përfolur? Ata që janë më të pushtetshmit, që kanë qenë dhe janë në majë. Ata që marrin vendime, që kanë në dorë të ardhmen e këtij vendi. Dhe vazhdojmë. Kush janë pasanikët më të mëdhenj të këtij vendi? Çdo fëmijë do mund t’i përgjigjej: Politikanët, kriminelët dhe biznesmenët. Kush janë politikanët më të njohur? Ata që janë më të pasur! Në fund të fundit, kush janë politikanët në këtë vend? Shumica e politikanëve në këtë vend, janë, ose biznesmenë, ose kriminelë, ose besnikë dhe servilë të liderëve. Ata që janë besnikë të liderëve, janë edhe servilë. Ata që janë kriminelë, janë edhe të pasur.

Ky është një realitet, që nxin pafund prej dëshpërimit, edhe për shkak se brenda tij ka kujdesin për të fshehur lajmin se krimi dhe politika, me apo pa dashje, janë në një përzierje për të mos thënë janë në një flirt. Ndoshta është një bashkim instiktiv, i rastësishëm. Si rënia e rrufesë p.sh., pavarësisht askujt, por gjithsesi, për zinë e shqiptarëve normalë, ndodh. Për t’i qëndruar ndershmërisht këtij konstatimi, ndoshta duhet pranuar që sado e ndotur kësisoj të jetë elita jonë politike, nuk është si e dalë nga një pus nafte, pra në atë terr, saqë të ketë futur me vetëdije të qartë kriminelë në radhët e saj, vetëm sepse ata janë të tillë. Ja ku u shfaq ylberi i një lajmi të mirë. Shyqyr Zotit politika shqiptare nuk është shndërruar ende në një bandë, edhe pse aktualisht brenda saj ka jo pak banditë. Pra, arsyeja pse disa kriminelë janë në politikë, është jo vullneti i mirëfilltë i saj, por me sa duket, është pikërisht sepse ata janë boba, të pasur dhe të fuqishëm. Në njëfarë mënyre ata kanë blerë pushtet, duke e ndotur fillimisht pushtetin dhe duke e sunduar ndonjëherë ose shpeshherë atë. Çështja që shtrohet sot është, a ka vullnet politika, pushteti, por edhe moral, që ashtu si bleu dje ndotjen duke futur kriminelë në radhët e saj, të blejë sot ndershmëri, ndërgjegje, moral, për të pastruar vetveten?

Pyetja që nuk është aq fëmijërore është se kush do ta bëjë këtë gjë, sepse kësaj pyetje nuk mund t’i përgjigjet askush.

Zbërthyer sërish si ylberi, pyetja lart shpërbën pyetje të tjera. A mund ta pastrojnë moralin e politikës po ata që e nxinë? A mund të pastrojë vetveten politika nga krimi, ndërkohë që vetë ajo është e ndotur dhe e korruptuar. A mund të ndodhë një vrasje e tillë kolektive e ndërgjegjes në një sistem ku gjithmonë ka munguar ndërgjegjja dhe ndershmëria? Pra, të gjithë thonë dhe bërtasin të dekriminalizohet vendi, shoqëria civile, media dhe politika, që është shkaktarja kryesore e ndotjes, por askush nuk thotë se si mund të bëhet kjo gjë. Madje vetë politika, e pamoralshmja, faqezeza, çirret më shumë. Por si do të bëhet ky pastrim? Për çfarë motivi politika do të kërkonte ndryshimin, ndërkohë që ajo, për shkak të egoizmit primitiv që karakterizon politikanët tanë, nuk e ka dashur kurrë dhe nuk e do e me sa duket nuk do ta dojë ndryshimin. Por edhe sikur të kish një vullnet të tillë, siç shesin veten palët, nuk është aq e thjeshtë. Të pastrosh moralin nuk është si të qërosh një karotë. Të pastrosh moralin do të thotë të ndryshosh dhe të kuptosh që pastrimi më i mirë është të largohesh nga skena. Por kush do ta ndiente aq qartë vrasjen e ndërgjegjes, sa, për hir të pastrimit, të linte me vullnet karrigen e vet, favoret dhe fudullëkun?

Edhe pse kumbon utopi, pastrimi në thelb nënkupton ikje! Ikje nga pushteti, jo nga përgjegjësia. Prandaj është i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Përfytyroni me radhë fytyrat e yndyrosura të bosëve tanë të pushteteve andej e këtej. Me radhë, një për një. Vendosini në rresht, aq sa të kuptohet që janë mostra të dala nga i njëjti kallëp, të prodhuara nga i njëjti vullnet. Nuk po përmend emra, por dihen. Janë të tejpublikuar. Janë të preferuar, të përzgjedhur, të përkëdhelur. Atëherë, cili prej tyre do të ikte vullnetarisht dhe do të pranonte të hetohej, në fillim për arsyen se përse ka votuar, ose heshtur, kur janë marrë vendime të tilla, si lejimi i kriminelëve në Parlament dhe në administratë gjithë këto vite, dhe në fund të jepte llogari për pasurinë, për vilat, për mëkatet dhe bizneset e veta dhe për bizneset po të vetat, por në emra familjarësh e krushqish? Kush? A ka një person të vetëm, që do të guxonte ta bënte këtë gjë?! Përgjigjja është e qartë për të gjitha gjallesat e këtij vendi. Askush! Nga i pari tek i fundit, nuk kanë as kurajën, as vullnetin, as dëshirën, as burrërinë ta bëjnë këtë gjë. Pse? Sepse janë të pisët dhe veç kësaj, do t’i priste dhe gjykonte drejtësia, natyrisht nëse do ketë të tillë ndonjëherë. Ja ku dolëm te drejtësia. Vejusha e zezë, që nxin prej korrupsionit më shumë se politika së cilës deri tani i ka shërbyer si lavire. Ndoshta pastrimi duhet të fillojë pikësëpari nga ajo. Këtë duhet ta bëjë gjithashtu politika. Ja ku dolëm në një rreth vicioz. Pa dalje, shpesh pa shpresë. Ne ankohemi për drejtësinë tonë të padrejtë, por harrojmë se ashtu si politika te ne është pjellë e shëmtuar e shoqërisë, drejtësia është pjellë e shëmtuar e politikës. Dhe sarkazma vazhdon… Në këtë vend do duhej të qeverisnin apostujt e Krishtit, që dëshmuan ringjalljen, që të shpresohej të kishte një vullnet të tillë. Një ide do të ishte të stimuloheshin faktorë të tjerë, që së paku të bënin në kohë presion politikës me denoncime publike për zyrtarët e korruptuar dhe politikanët e kriminalizuar. Media, shoqëria civile. Por edhe kjo flakë qiriri: ndërsa e para është e kapur nga politika, e dyta është e lëshuar, e braktisur nga politika. Do duhej që shteti të kujdesej që shoqëria civile të kishte tjetër zë dhe tjetër mision, por edhe kjo kërkon një vullnet të fortë, që shoqëria, nuk e ka. Ca më pak politika. Aq më pak drejtësia. Çfarë ndodh atëherë? Askush nuk e di! Profetët janë në dilemë, liderët janë në krizë… banditët janë në pushtet.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel