Parlamenti i Greqisë ka miratuar orët e fundit me shumicë votash projektligjin për rihapjen e radiotelevizionit grek ERT, i mbyllur gati dy vjet më parë.

Projektligji konsiderohet një lëvizje simbolike e qeverisë Tsipras, e cila e ka pasur rihapjen e televizionit shtetëror një prioritet kryesor, pasi mbyllja e tij është konsideruar një plagë e madhe për demokracinë.

ERT-ja, që ka pasur një buxhet prej 300 milionë eurosh në vit, kryesisht në bazë të një takse mujore për çdo familje, është mbyllur në 11 qershor të vitit 2013 me vendim të qeverisë së koalicionit Samaras dhe Venizellos, me pretekstin se ishte një institucion shtetëror me numër të madh nëpunësish dhe me harxhime, në një kohë që huadhënësit kërkonin reduktim të administratës shtetërore.

Ai u zëvendësua me një kanal shumë më të vogël televiziv, NERIT, që u kritikua shumë për mënyrën e funksionimit dhe të aplikimit të vendeve të punës, ndërsa u cilësua nga radikalët e majtë, në opozitë atëherë, si zyra e shtypit të qeverisë.
 
Mbyllja e ERT-së që u pasua me humbjen e sinjalit në tre kanalet televizive ekzistuese dhe atyre radiofonike në të gjithë vendin dhe që u konsiderua si një nga masat më drastike të konservatorëve, shkaktoi një valë protestash dhe tërheqjen e një partie të vogël nga koalicioni qeveritar në atë kohë.

Për javë dhe muaj të tëra, gazetarë dhe teknikë të pushuar transmetonin një program internetik dhe më pas televiziv nga studiot e pushtuara prej tyre, në Athinë dhe Selanik.

Sipas projektligjit të ri, rreth 1600 nëpunës nga personeli që humbi punën, midis tyre edhe 400 gazetarë, bashkë me ata që tashmë punojnë në kanalin e vogël ekzistues që do të absorbohet nga ERT-ja, do të rikthehen në vendet e tyre të punës.

Kostoja vjetore e pagave do të jetë rreth 30 milionë euro, shpenzimet operative janë reduktuar dhe do të mbulohen kryesisht nga tarifa prej 3 euro në muaj që çdo familje do të paguajë për televizionin shtetëror.

Top Channel