Aktiviteti i fundit si ministër, Veliaj: 5000 vende të reja pune. Porositë për pasardhësin

29/04/2015 00:00

5000 vende të reja pune janë në dispozicion të të rinjve në Telekomunikacion, Sistem Bankar, Hoteleri-Turizëm e fusha të tjera. Në Tiranë është hapur Panairi i Punës, ku 60 kompani janë ofruar për t’iu dhënë mundësi punësimi të rinjve të papunë.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i cili e ka edhe aktivitetin e fundit si ministër, la dhe një porosi për pasardhësin e tij në krye të këtij dikasteri.

“Një Panair Pune, i cili ka rreth 5000 vende pune në disa fusha, duke filluar nga Telekomunikacioni, ndërtimi, sektori bankar, sektori i Teknologjisë së Informacionit e sektorë të tjerë të shërbimeve, ata që po bëjnë investime në infrastrukturë, apo ata që po bëjnë investime në burime njerëzore, në Hoteleri-Turizëm, apo gjithë elementët e tjerë të fushave të zhvillimit në Republikën tonë. Ndaj, në qoftë se kam një porosi për atë që do të më marrë stafetën në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, gara jonë nuk është me s’nuk-sat e 8 viteve që ikën, gara jonë është me standardin që ndërtuam tani, pikërisht me këtë Panair Pune, me 10 Zyrat e Punësimit dhe me Fondin e Nxitjes së Punësimit. Kjo është gara për të cilën duhet të luftojmë, ndaj dhe këtë garë e kemi me veten e me ambicien tonë”, tha ministri Erion Veliaj, kandidat i socialistëve për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Ministri Veliaj theksoi se në 18 muaj, qeveria shqiptare ka 6-fishuar Fondin e Nxitjes së Punësimit.

“Në këto 18 muaj e kemi gjashtëfishuar Fondin e Nxitjes së Punësimit, jo për njerëz që duan të ndajnë paratë e shtetit me anë të nxitjes, por për njerëz që kanë një projekt real sesi do e zgjerojnë kompaninë e tyre që merret me përpunimin e peshkut; si do e zgjerojnë kompaninë e tyre, si ajo ku ishim dje, që merret me përpunimin e drurit. Ndaj dhe do të doja të ftoja tashmë, jo vetëm ata që kërkojnë punë, por edhe sipërmarrësit: shteti ynë dinjitoz, i cili nuk ka arritur në destinacion por është në drejtimin e duhur po ofron mundësi për të punësuar të rinj, gra, njerëz me aftësi të kufizuara, njerëzi që vijnë nga komuniteti rom, apo egjiptian, ata që vijnë nga zonat rurale. Përdorini këto mundësi”, u shpreh ministri Veliaj.

Meta vlerëson punën e Veliajt
Nxitja e arsimimit profesional dhe hapja e zyrave të punësimit

I pranishëm në Panairin e Punës, kreu i Kuvendit Ilir Meta vlerësoi punën e bërë nga ministri Veliaj, duke vlerësuar atë çfarë është bërë me nxitjen e formimit profesional të të rinjve dhe Zyrat e Punës.

“Janë hedhur baza të rëndësishme, frytet e të cilëve ne do t’i korrim në muajt dhe vitet që vijnë. Nuk mund të ketë zhvillim të industrive në vendin tonë, në rast se nuk do të ketë shkolla të mesme të formimit profesional. Ndaj thellimi i investimit të mëtejshëm në arsimin profesional, absolutisht që do t’i shërbejë rritjes ekonomike të vendit”, tha kryeparlamentari Ilir Meta.

Për ta mbyllur misionin e tij në krye të kësaj Ministrie, Veliaj dha lajmin e mirë se tanimë edhe Gjermania ka rënë dakord për njohjen e viteve të punës së emigrantëve shqiptarë në Gjermani, marrëveshje e cila do të nënshkruhet në vjeshtën e këtij viti.

Top Channel