Kryeministri Rama, në forumin “Tryeza e ideve” në Stamboll

29/04/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama po zhvillon këtë të mërkurë vizitë një-ditore në Stamboll, ku do të marrë pjesë në forumin e njohur publik, të organizuar nga think tank “Fikir Sofrasi” (Tryeza e ideve).

Zyra e shtypit e Kryeministrisë ka dhënë disa detaje mbi vizitën e Ramës dhe pjesëmarrjen e tij në forumin e njohur, duke reaguar në këtë mënyrë ndaj një deklarate të PD-së, sipas së cilës “Rama ka shkuar në Turqi për afera sekrete në fushën e energjisë”.
 
Takimi i sotëm, sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, është edicioni i 15-të i këtij organizimi, ku më parë kanë marrë pjesë si të ftuar nderi autoritete të larta vendase e të huaja në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe turizmit.
 
Tema e këtij takimi është “Perspektiva e partneritetit strategjik Shqipëri-Turqi në fushën e Tregtisë dhe Industrisë”. “Në takimin e sotëm, ku i ftuari i nderit është kryeministri shqiptar, do të marrin pjesë mbi 50 industrialistë dhe investitorë të mëdhenj turq, në fushën e energjisë, turizmit, manifakturës, bujqësisë e shëndetësisë, si dhe rreth 20 përfaqësues të medias së shkruar dhe elektronike turke”, bëri të ditur zyra e shtypit.
 
Sipas saj, kjo vizitë e kryeministrit Rama është në vazhdën e takimeve të zhvilluara më parë në Itali apo Gjermani, për t’u takuar dhe nxitur sipërmarrësit e huaj të interesuar për të investuar në Shqipëri.
 
“Për të hequr çdo ‘merak’ të Partisë Demokratike, vizita e sotme është koordinuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës se Shqipërisë në Stamboll dhe njësoj si në të gjitha rastet e mëparshme do t’i bëhet me dije edhe publikut shqiptar përmes kanaleve të informimit publik”, vijon njoftimi i zyrës së shtypit, e cila shpreh “keqardhjen e zakonshme për fjalorin e ulët, nga i cili PD nuk ndalet dot” dhe “është e udhës të rinënvizohet edhe sot se koha e sekserëve që negocionin në hotelet e botës pasuritë e popullit shqiptar për llogari të pushtetit familjar që e shporri vota e popullit shqiptar, ka marrë fund bashkë me atë pushtet, më 23 qershor 2013”.
 
Më herët, gjatë ditës së sotme, shefi i Departamentit për Politikën e Jashtme të PD-së, Kreshnik Çollaku, akuzoi kryeministrin Rama se ka udhëtuar në Turqi për të nënshkruar një negociatë sekrete në fushën e energjisë.
 
“Kush është sekseri i kësaj negociate sekrete dhe sa është përqindja e sekserit qeveritar? Përse diplomatët shqiptarë përdoren vetëm për të kaluar kufirin si VIP dhe nuk janë të pranishëm në këto negociata?”, ishin pyetjet që Çollaku i drejtoi kryeministrit Rama.

Top Channel