Pensionistet daneze, më të lumturat

29/04/2015 00:00

Zviceranët rezultojnë më të lumturit si popull, por gratë që shijojnë më mirë se kushdo tjetër moshën e tretë janë danezet. E gjithë kjo falë pensioneve të majme, mundësive pafund për të vënë në jetë “hobbie”-t e tyre dhe moskokëçarjes për fëmijët.

Për një grua që jeton në Danimarkë, plakja nuk është aspak dëshpëruese. Në fakt, pavarësisht taksave të konsideruara ndër më të lartat në botë, danezët renditen rregullisht në krye të listave të më të lumturve. Por, studimi i realizuar nga Eurostat-i i nxjerr të parët në Europë për qetësinë e përjetuar prej grave të moshës 65 deri në 74 vjeç.

Në një shkallë prej pikësh që tregojnë nivelin maksimal të lumturisë, ato kanë marrë 8,6. Një nga arsyet kryesore të shqetësimit, që për këtë moshë do të ishte kujdesi për nipërit apo mbesat, në këtë vend është zgjidhur më së miri prej kujdesit të subvencionuar ditor.

Danimarka ka nga ana tjetër plot 80.000 klube e shoqata për të kaluar sa më këndshëm kohën e lirë, që do të thotë se mesatarisht, një qytetar mund të jetë i anëtarësuar në tre klube.

Një tjetër kërkim ndërkohë, këtë radhë i realizuar nga Universiteti i Warwick-ut, tregon se çelësi i nivelit të lartë të lumturisë së danezëve mund të jetë faktori genetik. Për çdo rast, shumë të tjerë ndajnë bindjen e plotë se qetësia dhe kënaqësia e këtyre njerëzve i detyrohet sistemit të jashtëzakonshëm të ndihmës sociale në këtë vend, ku në këmbim të taksave që shkojnë në 50% të të ardhurave, qeveria mbulon absolutisht çdo shpenzim të arsimimit dhe kujdesit shëndetësor, ndërsa harxhon për fëmijët dhe të moshuarit më shumë fonde se çdo shtet tjetër.

Top Channel