PS: Basha premtoi shumë dhe realizoi asgjë

29/04/2015 00:00

Partia Socialiste ka kujtuar premtimet që Lulzim Basha ka bërë gjatë fushatës së tij në Tiranë katër vjet më parë, dhe që sipas socialistëve, nuk janë realizuar.

“Lulzim Basha u bëri qytetarëve një mal me premtime kur u emërua kryetar i Bashkisë së Tiranës. Sot, katër vjet më pas ai po i ikën si një frikacak përballjes me qytetarët për bilancin e këtyre premtimeve, sepse në 4 vjet e vetmja punë që ka bërë Luli ka qenë të paguajë rrogat e stafit të bashkisë. Vetëm kaq!”, deklaroi deputeti socialist, Artan Gaçi.

Socialistër radhisin një sërë premtimesh që, sipas tyre, Basha nuk i ka mbajtur.

“Premtoi se qytetarët do të ecin në trotuare cilësorë e të rehabilituar. Premtoi se trotuaret do të çlirohen nga zëniet abuzive. Dhe natyrisht nuk mbajti as njërin e as tjetrin premtim. Gropat dhe pllakat e thyera tek të cilat s’vë dorë njeri prej vitesh, shitësit ambulantë që janë fanepsur në çdo cep e qoshe, tavolinat e lokaleve që kanë mbirë kudo duke zënë hapësirat publike me bekimin korruptiv të Bashkisë Tiranë, e kanë kthyer lëvizjen nëpër trotuarë në një sfidë të vërtetë për çdo qytetar. Por i kuptojnë qytetarët të cilët në 21 qershor do të mbyllin kapitullin e Lulit në Tiranë dhe do të votojnë për Erion Veliajn, kandidatin që do ta rikthejë kryeqytetin në drejtimin e duhur”, shtoi Gaçi.

Top Channel