Lufta kundër terrorizmit, Tahiri: Të zhduken burokracitë mes vendeve të Ballkanit

29/04/2015 00:00

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Saimir Tahiri dhe ai i Kosovës, Skënder Hyseni kanë marrë pjesë në Beograd, në një konferencë për luftëtarët e huaj në luftën e Sirisë, por edhe për bashkëpunimin rajonal në këtë fushë.

Në këtë konferencë u tha se rajoni duhet të ketë një strategji të përbashkët lidhur me luftën kundër terorizmit.

“Një ndër armiqtë kryesorë është padyshim paragjykimi. Duhet larguar çdo hije paragjykimi në rajon, në mënyrë që të bashkëpunojmë me efikasitet kundër një rreziku të përbashkët dhe pro vlerave që qytetarët tanë përqafojnë, që është domosdoshmëria për të qenë efektivë dhe të shpejtë në bashkëpunim”, deklaroi Tahiri.

Ministri kosovar, i cili pavarësisht tensioneve për ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi ka marrë pjesë në këtë event, theksoi se Kosova është krenare për punën që ka bërë pasi është një nga vendet më aktive.

“Rajoni ka nevojë për një qendër rajonale të fuzionimit, që do të shërbente për grumbullim informacioni dhe më pas për shkëmbim informacioni midis vendeve të ndryshme”, tha Hyseni.

Tahiri në fund u takua edhe me ministrin e Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviç. Ky i fundit tha se Serbia do të aprovojë një strategji të re pasi duhet të pengohen rekrutimet.

Top Channel