Hiqet sekuestrimi i pronave për energjinë. Në Kuvend, drafti i ri

29/04/2015 00:00

Pas debateve të ashpra në Kuvend mbi vendosjen e barrës hipotekore për debitorët e energjisë elektrike, të cilësuar nga opozita si e drejtë që qeveria i jep vetes për të sekuestruar banesat e qytetarëve, që nuk mund të shlyejnë faturat e energjisë, grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka propozuar heqjen e saj për konsumatorët familjarë.

“Po, të enjten Kuvendi ka një propozim të grupit parlamentar për heqjen e barrës hipotekore për konsumatorët familjarë”, tha Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese.

Ligji i ri për energjinë elektrike parashikon vendosjen e barrës hipotekore për konsumatorët familjarë, kur kalojnë vlerën debitore prej 300 mijë lekësh, ndërsa për bizneset kur kalojnë vlerën e 2 milionë lekëve.

Një tjetër pikë debati ishte ajo e çmimit të lartë, që qytetarët duhet të paguajnë për faturat aforfe, për të cilën kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese tha se, synohet që fundi i këtij viti të jetë edhe fundi i kësaj mënyre faturimi, pas pajisjes së të gjithë konsumatorëve me matësa.

“Ne i kërkojmë qeverisë dhe Entit Rregullator të mbikëqyrin procesin e pajisjes me matësa për të gjithë konsumatorët shqiptarë, në mënyrë që në fillim të vitit 2016, asnjë konsumator shqiptar të mos ngarkohet aforfe”, deklaroi më tej Eduard Shalsi.

Top Channel