Baltimore, ndalimqarkullimi për rivendosjen e rendit

29/04/2015 00:00

Një natë pas protestave të dhunshme e zjarreve të vëna nga turmat e egërsuara të njerëzve, policia në Baltimore është detyruar të përdorë gazin lotsjellës për zbatimin e ndalimqarkullimit.

Autoritetet vendosën që nga ora 10 e darkës, deri në 5 të mëngjesit, në rrugët e qytetit të trazuar të mos lejohej asnjë lëvizje. Shumë tubues, megjithatë, e sfiduan këtë vendim dhe ora 10 i gjeti nëpër sheshe.

Sidoqoftë, policia tha se më vonë turmat u larguan dhe ndalimqarkullimi, sipas pohimeve të saj, në masë të madhe funksionoi.

Që prej vdekjes së 25-vjeçarit afro-amerikan, Freddie Gray, gjatë ndalimit prej forcave të rendit më 19 Prill, protestat në Baltimore kanë vazhduar çdo ditë. Largimi nga jeta i të riut pas një jave të kaluar në koma, si pasojë e një dëmtimi të pashpjegueshëm të shtyllës kurrizore, kur ishte nën mbikëqyrjen e policisë, është episodi më i fundit që hedh dyshimet mbi trajtimin e të rinjve me ngjyrë nga zbatuesit e ligjit në Shtetet e Bashkuara.

Dhuna shpërtheu të hënën, pak pas funeralit të Grayt, duke detyruar autoritetet të nxjerrin në terren trupat e Gardës Kombëtare. Turmat dogjën një sërë objektesh, mes të cilave edhe një farmaci, e plaçkitën dyqane e qendra tregtare.

Një ditë më parë, Presidenti Barack Obama bëri thirrje që personat përgjegjës për trazirat “të trajtohen si shkelës së ligjit”, ndonëse me përjashtimin e atij, që e cilësoi një devijim të tubimeve, protestat në përgjithësi i ka përshkruar si të bazuara në shqetësime krejtësisht të ligjshme mbi vdekjen e 25-vjeçarit afro-amerikan.

Sipas avokatit të familjes Gray, shtylla kurrizore e të riut ishte 80 për qind e këputur në qafë, e kjo ka ndodhur gjatë kohës që ndodhej në paraburgim.

Top Channel