Marinzë, toka e ndotur nga metalet e rënda

29/04/2015 00:00

Banorët e Patos-Marinzës nuk duhet t’i mbjellin tokat e tyre, pasi në zonë, nga matjet e kryera nga Instituti i Shëndetit Publik, ka rezultuar se toka është e ndotur me Nikel në nivele të larta.

Konsumimi i produkteve në tokat e ndotura me këtë metal të rëndë përbën një rrezik serioz për shëndetin e banorëve të zonës, theksojnë specialistët.

“Përveç këtyre rezultateve që kemi nga ky pyetësor, kemi marrë edhe 5 mostra toke, që janë analizuar këtu në Institutin e Shëndetit Publik, kryesisht për metalet e rënda, nga ku Nikeli ka dalë mbi normat e lejuara. Nikeli është një nga metalet e rënda të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Ka një lidhje indirekte nëpërmjet bimës, nëse banorët do të përdorin atë bimë të caktuar, apo lopa do të konsumojë atë bar, e më pas nikeli kalon nëpërmjet qumështit te njeriu. Ndërsa lidhja e drejtpërdrejtë ka të bëjë me rastin kur fëmijët e vegjël luajnë dhe manipulojnë me tokën, pra nuk duhet të luajnë me dherat”, tha Arben Luzati, specialist i ISHP-së.

Specialistët e Shëndetit Publik kanë bërë analiza të banorëve rastësorë në lidhje me sasinë e fenolit në urinë, niveli i të cilit ka rezultuar disa herë më i lartë edhe se e vetë punëtorëve, që merren me naftënxjerrjen.

“Janë marrë edhe 8 mostra urine për të përcaktuar nivelin e fenoleve në to, të cilat janë analizuar pranë Qendrës Spitalore në Tiranë, dhe të gjitha kanë rezultuar me fenole mbi normë. Këtu i referohemi normës së punëtorëve, ndërsa mostrat e banorëve kanë dalë edhe më të larta se të tyret, apo mbi 80 miligram konkretisht, që është kjo normë”, tha më tej Arben Luzati.

Intoksikimi i banorëve mund t’u shkaktojë atyre probleme në shëndet në një periudhë të mëvonshme. Megjithatë, specialistët e Shëndetit Publik preferojnë që këto të konsiderohen konkluzione paraprake, deri sa të kryhen studime të mirëfillta si për tokën, ajrin, ashtu dhe për banorët.

Top Channel