Kore e Veriut, regjimi ka ekzekutuar 15 persona

29/04/2015 00:00

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong un ka urdhëruar ekzekutimin e 15 personave këtë vit, mes të cilëve zyrtarë të lartë të regjimit të tij.

Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarë të shërbimeve sekrete koreano-jugore, të cilët gjatë një raportimi në parlament thanë se ekzekutimet janë kryer përmes skuadrave të pushkatimit dhe për akuza spiunazhi.

Mes personave të vrarë janë dy zëvendësministra që sfiduan liderin Kim për politikat e tij dhe anëtarë të një orkestre, saktësuan zyrtarët.

Lideri aktual i vendit më të izoluar në botë, Kim Jong un, në vitin 2013 ekzekutoi xhaxhain e tij, një zyrtar i plotfuqishëm, për tradhëti dhe më pas të gjithë familjen e tij.

Krerët e inteligjencës së Jugut thanë se një prej zyrtarëve të vrarë ishte ministri i Pyjeve, i cili ishte ankuar për planin e regjimit për pyjet e Veriut.

“Justifikimi apo arsyetimi nuk funksionojnë me Kim Jong un dhe stili i tij i qeverisjes është të çojë përpara modelin e tij me çdo çmim”, tha Shin Kyung min, anëtar i komisionit parlamentar për shërbimet sekrete në Korenë e Jugut, duke cituar fjalët e një zyrtari të inteligjencës.

Zyra e zotit Shin tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se zyrtari në fjalë, të cilit i ruhet me rigorozitet anonimati, ka nënvizuar se ekzekutimet ishin një “panoramë” e kundërpërgjigjes ndaj asaj që Kim e cilëson sfidim të autoritetit të tij.

Ndërkohë, katër anëtarë të orkestrës Unhasu ishin mes personave të ekzekutuar. Flitet se bashkëshortja e liderit Kim, Ri Sol ju ishte një këngëtare e këtij grupi muzikor përpara martesës.

Një politikan koreano-jugor, Lee Cheol woo tha për agjencinë e lajmeve “Yonhap” se anëtarët e orkestrës ishin ekzekutuar për nxjerrje të sekreteve familjare.

Top Channel