Buxheti, Ministria e Financave: Mund ta shkurtojmë

29/04/2015 00:00

Vetëm pak muaj pas miratimit nga Parlamenti, qeveria dha sinjalet e para se mund të rishikojë në ulje buxhetin e shtetit për këtë vit. Zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj deklaroi se vetëm nga rënia e çmimit të naftës buxheti do të humbasë këtë vit 6 miliardë lekë.

“E kuptoj që mund të kemi 6 miliardë minus, por kemi një plan B që do shohë se si do ecin shpenzimet, apo një rishikim të buxhetit në qershor ose në shtator”, deklaroi Beqiraj.

Vetëm për tre muajt e parë të ardhurat nga renta kanë rënë me 1.2 miliardë lekë. Duke komentuar treguesit fiskalë për tremujorin, Beqiraj tha se shmangia e të ardhurave nga plani lidhet edhe me disa faktorë si rritja e TVSH-së së rimbursuar, por edhe ndryshimi i skemës se si mblidhen taksat ndaj biznesit.

“Nëse një biznes ka pasur 10 lekë TVSH kreditore dhe 12 lekë për ta paguar tatim-fitimin, tani sistemi bën hetim dhe subjekti paguan vetëm 2 lekë shtesë. Ndërsa më parë tatimet merrnin 12-lekëshin, 10-lekëshi mbetej borxh ndaj biznesit dhe të ardhurat lulëzonin”, tha Beqiraj.

Në fund zëvednësministrja dha edhe një mesazh për publikun, duke kërkuar më shumë optimizëm. “Situata nuk është aq e zezë sa përpiqen ta pasqyrojnë mediat. Ju ftoj juve të shihni pak dritë në fund të tunelit, pasi kjo do t’i shërbejë më mirë ekonomisë. Suksesi qëndron në atë që edhe kur ke një rast dështimi, siç e shihni juve, gjërat shihen me optimizëm”, tha Beqiraj.

Në tre muajt e parë të vitit të ardhurat totale në buxhet ishin 2.6 miliardë lekë më pak se plani, por specifikisht të ardhurat tatimore ishin 6.2 miliardë lekë më pak.

Top Channel