Kur arti të “nxjerr” nga qelia

29/04/2015 00:00

Në dukje është një ekspozitë krejt e zakonshme, në Galerinë Kombëtare të Arteve. E kuruar në detaje, me piktura shpeshherë plot shpresë e ngjyra të forta.

Mbase një vizitor nuk do ta kuptonte aspak, se aty janë hedhur penelë njerëzish, që lirinë e kanë të kufizuar.

“Edukimi përmes artit” ka mbledhur punët më të mira të burrave, grave e të miturve më të talentuar të burgjeve të vendit, që dënimin e tyre pas hekurave kanë vendosur t’a kalojnë duke krijuar.

Në burgun e grave, rutina për disa prej tyre kalohet me vizatime ose me punime artizanale. Shpeshherë, ato shkëmbejnë edhe këshilla me njëra-tjetrën. Liljana Mulliri, pavarësisht krimit të paharruar të disa viteve më parë, në Vidohovë të Korçës, ndien ende nevojën e një ëngjëlli mbrojtës.

“Pikturën e kam shumë qejf. Këtu kam bërë një ëngjëll, ëngjëllin tim mbrojtës. Ky më mbron nga gjithçka, përderi sa e ka emrin të tillë, kështu mendoj se më mbron nga kushdo. Edhe unë kam nevojë për mbrojtje”, tha Liljana.

Ndërsa për Dorina Carën, simboli i lirisë është ai, që zë pjesën më të madhe të vizatimeve të saj.

“Piktura më ka ndihmuar tej mase këtu, sepse i tillë është vendi. Çdo vizë që bëjmë në letër, e mendojmë sikur jemi jashtë, na afron me familjen dhe njerëzit tanë. Piktura ime e preferuar është një me dy pëllumba, njëri përtej hekurave në qiell të hapur, ndërsa tjetri këtu brenda”, tha Dorina.

Terapia përmes artit i ndihmon këto gra të shkëputen për pak kohë nga realiteti dhe ftohtësia e qelisë. I bën më të forta se ato të tjerat, të cilat pa dëshirën për t’u identifikuar, trumpetojnë mallin për gjithçka që gjendet jashtë hekurave.

“Më ka marrë malli për vendin tim. Syrgjynosur që në mërgim. Më ka marrë malli për shtëpi e me shoqëri kafe të pi. E të shoh nënën në prag të derës, të shoh lulet e pranverës, fushat, malet, t’ia sodis liqenit valët”…

Top Channel