Kur këngët ndryshojnë botën

29/04/2015 00:00

Ajo është e bindur se, me tingujt e kitarës së saj mund të bëjë zemrat të rrahin fort. E frymëzuar nga realiteti i vështirë shqiptar, ku shumë vetë duan të largohen, Eltina Minarolli ka kompozuar këngën “Dashuri në arrati”.

“Për faktin që s’mund të bërtisja e vetme, mendova se duke bërë këtë këngë do të ishte një mesazh shumë i mirë për të gjitha nënat, që i kanë larg fëmijët e tyre prej emigracionit”, thotë Eltina.

Brenda tingujve të këngës ka edhe pak nga jeta e saj personale, sepse gjysma e familjes jeton në Amerikë, vend ku është frymëzuar për të kompozuar edhe këngën “Kristalet blu”, që u jep zemër prindërve të mos dorëzohen dhe t’u gjenden pranë fëmijëve, kur ata janë në vështirësi.

“Kjo këngë ka qenë një dedikim, që unë ia kam bërë mbesës sime. Më qëlloi të isha në spital kur ajo u lind dhe aty pashë shumë fëmijë e familjarë, mes të cilëve edhe fëmijë që ishin në ditët e fundit të jetës së tyre; një prej foshnjave humbi edhe jetën për fat të keq; gjë që më bëri edhe të hidhja notat e para për këtë këngë”, tha më tej Eltina.

Sipas Eltinës nuk është e rëndësishme vetëm të krijosh këngë me mesazhe sociale, por edhe t’u gjendesh pranë personave që kanë nevojë. Ajo këndon shpesh për bamirësi dhe hera e fundit ka qenë në Ditën ndërkombëtare të Fëmijëve me sindromën “Doën”.

“Ajo ditë më bëri të besoj se, ata janë pjesë shumë e rëndësishme e kësaj jete dhe ndihma më e vogël që mund të jepnim ne si artistë, ndoshta në atë rast ishte nëpërmjet muzikës”, tregon Eltina.

Kantautorja e re na thotë se muzika ka ndikim, pasi komunikon drejtpërdrejt me shpirtin e atyre që e dëgjojnë, prandaj edhe shpirtit duhet t’i thuash fjalët e duhura.

Top Channel