Vetëvrasja e 30-vjeçarit “shkarkon” krerët e burgut të Peqinit

29/04/2015 00:00

Një i dënuar në burgun e Peqinit i ka dhënë fund jetës, ngjarje kjo e ndodhur në sektorin e sigurisë së lartë e që është bërë shkak që menjëherë të shkarkohen nga detyra drejtori i burgut Fatos Veliu dhe përgjegjësi i sektorit të sigurisë, Filip Ulndreaj.

Mario Ramaj, thotë Drejtoria e Burgjeve, kishte dy vjet që mbahej në këtë burg, ndërkohë që kishte edhe 23 vjet dënim. Ajo që dihet në rrugë jozyrtare është se përpara se të vriste veten, 30-vjeçari kishte kryer një telefonatë.

Ndërkohë, kur është kthyer në sektor me një çarçaf, ai është vetëmbytur në tualetin e burgut. Drejtoria e Burgjeve thotë se, sapo është konstatuar ngjarja, Mario Ramaj është shoqëruar nga policia e burgjeve në urgjencën e qendrës së vuajtjes së dënimit, por ka qenë e pamundur që jeta e tij të shpëtohej.

Për mosmenaxhim dhe neglizhencë në kryerjen e detyrave, Drejtoria e Burgjeve, me urdhër të ministrit të Drejtësisë, ka shkarkuar dy funksionarët përgjegjës.

Top Channel