Investimet e Emirateve në Kosovë, Jahjaga: Bashkë në betejën ndërkombëtare kundër ISIS

29/04/2015 00:00

Që nga vitet e konflikteve në Ballkan, kur pati një rizgjim të interesit të Emirateve të Bashkuara Arabe për Kosovën dhe rajonin me qëndrimin pro bombardimeve të NATO-s, etapat e marrëdhënieve mes këtij shteti dhe Kosovës kanë kaluar në disa faza.

Pas ndihmës me lobimin në vendet arabe, tashmë Emiratet janë kthyer edhe në një partner ekonomik, me marrëveshjen nën patronazhin e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Gruaja më e fuqishme në Emirate, gjithashtu një mbështetëse e popullit të Kosovës prej vitesh, nënë e Princit të kurorës, sheikja Fatima Bint Muabarak ka dhuruar 22 milionë euro për Sspitalin e ri të Fëmijëve, që do të ndërtohet në Prishtinë.

Spitali nis të ndërtohet në verë, ndërsa marrëveshja ekonomike e nënshkruar gjatë vizitës së presidentes finalizoi interesin për investime në bujqësi, blegtori, miniera, si dhe telekomunikacion.

Në një intervistë të dhënë për Top Channel, në përfundim të vizitës në Abu Dhabi, presidentja thotë se pranimi i donacioneve dhe nisja e bashkëpunimit me këtë vend të Gjirit Persik, tregon një fillim të sukseseve në fushën e investimeve për Kosovën, të cilat sipas saj deri tani kanë munguar.

“Kosova, jo vetëm që ofron potencial për investime, por le të themi se deri më tani nuk ka pasur një tregim suksesi, përsa i përket investimeve të huaja. Ndaj dhe ky është një moment shumë i mirë, që Kosova të përfshihet jo vetëm në arenën rajonale, por edhe atë ndërkombëtare, si një shtet që ka një potencial të jashtëzakonshmë për investime, një klimë të jashtëzakonshme të të bërit biznes. Tashmë ne kemi nevojë për tregueshmëri të suksesit, gjë që do ta bëjnë Kosovën më tërheqëse për investitorët e huaj. Kjo, sepse, le të themi se deri më tani kemi pasur patriotizma të ndryshme, ndërsa ka ardhur koha që patriotizmi i vetëm për qytetarët tanë, për shtetin tonë të jetë patriotizmi ekonomik. Këtu ne duhet ta dëshmojmë veten”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Interesimi ekonomik pason një politikë të jashtme të Emirateve të orientuar drejt Ballkanit, që prej kohës së luftës në Kosovë.

“Emiratet e Bashkuara Arabe, jo vetëm që janë vendi i parë në këtë pjesë të shteteve të Gjirit, që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, por kanë qenë ndër shtetet e para dhe të vetmit në Lindje, që për herë të parë në historinë e tyre mori në në vitin 1999 vendimin për dërgimin e trupave ushatarake në ruajtjen e paqes, të stabilitetit dhe të sigurisë për qytetarët e Kosovës, por dhe për të gjithë pjesën e Ballkanit Perëndimor. Kështu që, prej atëherë ne kemi filluar një bashkëpunim, i cili nisi në aspektin humanitar dhe atë ushtarak, por më vonë shkoi duke u ngritur në nivele diplomatike dhe politike, duke qenë një lobues i fuqishëm, së bashku edhe me aleatët e tjerë të Kosovës. EBA është një lobues i fuqishëm jo vetëm brenda shteteve arabe të Gjirit, por po ashtu po lobon fuqishëm te të gjitha shtetet, ku ky shtet ka ndikim të caktuar, ka raporte të caktuara. Kjo, jo vetëm me shtete, por edhe ndaj organizatave të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare”, tha Atifete Jahjaga.

Së bashku në betejën ndërkombëtare kundër ISIS, Kosova dhe Emiratet po bashkëpunojnë edhe në parandalimin e radikalizimit islamik.

“Siç po shihet, as Kosova nuk ka mundur të jetë imune ndaj këtyre sfidave dhe kërcënimeve globale, ndaj jemi rreshtuar me aleatët për luftimin e kësaj dukurie, që dita-ditës po kërcënon qytetarët tanë, qofshin në Kosovë, rajon apo mbarë botën. Çelësi i suksesit në punën tonë bazë, në ofrimin e paqes dhe stabilitetit, në sigurimin e jetës së qytetarëve tanë, është te bashkëpunimi dhe koordinimi mes shteteve. Duhet të lëmë mënjanë barrierat politike, siç i ka Kosova për shembull, dhe duhet të bashkëpunojmë në fushën e sigurimit të jetës së qytetarëve tanë. Në këtë drejtim, Kosova ka qenë e pakompromistë dhe kështu do të vazhdojmë të jemi. Ju i keni parë veprimet e fundit, duke iu falënderuar një pune jashtëzakonisht të mirë dhe një koordinimi të jashtëzakonshëm, mes Policisë së Kosovës, Inteligjencës së Kosovës dhe institucioneve të tjera në vend, duke vënë përpara drejtësisë mbi 61 shtetas të Kosovës, të cilët kanë qenë në ndonjë rast të bashkëngjitur ndaj kësaj dukurie dhe, patjetër që Kosova bashkëpunon me të gjitha shtetet, jo vetëm në rajon, por duke përfshirë edhe këtë shtet mik, ku ne jemi sot”, tha Presidentja Jahjaga.

Pas kësaj vizite, pritet hapja e Ambasadës së Emirateve në Prishtinë, si dhe zhvillimi i një konference donatorësh në muajin Qershor. Ndërsa Kosovës i mbetet të plotësojë kërkesat e Emirateve të Bashkuara, për thjeshtëzimin e procedurave në Prokurimin Publik dhe ligjin për garantimin e investimeve.

Top Channel