Gazprom, në rënie të lirë nga zhvlerësimi i rublës

29/04/2015 00:00

Kompania më e madhe energjitike e Rusisë, Gazprom, ka raportuar një rënie të ndjeshme të fitimeve vjetore për shkak të prekjes nga zhvlerësimi i monedhës vendase, rubla.

Kompania raportoi një përfitim neto prej 159 miliardë rubla, ose 3.1 miliardë dollarë për vitin 2014, një rënie drastike prej 86 për qind nga 1.14 trilion rubla të siguruara një vit më parë.

Rënia e çmimit të naftës në vitin 2014 kontribuoi në rënien e lirë të fitimeve të kompanive ruse të naftës dhe gazit.

Në të njëjtën kohë, një borxh dhe një debat për çmimin bëri që Gazprom të ndërpriste furnizimet për Ukrainën, një nga tregjet kryesore të tij. Nga ana tjetër, shitjet e gazit në Evropë dhe vendet e tjera ranë me 8.5 për qind.

“Gazprom po përballet me një stuhi të fortë për shkak të rënies së kërkesës evropiane për gaz, sanksioneve ndaj Rusisë, rënies së vlerës së rublës dhe mbifurnizimi global me gaz të lëngshëm natyral”, deklaron specialisti i energjitikës, David Hunter.

“Kësaj i shtohet edhe aspekti gjeopolitik, me Evropën që është e prirur për të krijuar “unionin energjitik” dhe të krijojë pavarësinë nga gazi rus, sidomos në kufijtë e saj lindorë”, nënvizon Hunter.

Edhe pse rubla së fundmi është stabilizuar dhe rreth 30 për qind e nevojës për gaz në Evropë plotësohet nga Rusia, kohët për kompaninë nuk duken të mira.

“Në plane afatgjata, Rusia i ka kthyer sytë tek tregjet kineze, të cilat i sheh si një grykëderdhje për rezervat e saj, si dhe tek një treg alternativ në Evropë për të ardhmen. Por megjithatë, këto janë kohë të vështira për kompaninë”, vijon Hunter.

Top Channel