Maqedonia renditet e fundit në rajon sa i përket lirisë së medias. Vlerësimin e ka bërë organizata ndërkombëtare Freedom House, duke e radhitur vendin në pozitën e 125 në raportin e fundit.

Në klasifikimin e kësaj organizate thuhet se ka ndikuar mbyllja e disa mediave opozitare, kushtet e rënda të gazetarëve dhe dënimi me burg i një gazetari maqedonas.

Gjatë një debati mbi lirinë e shprehjes, gazetari Borjan Jovakovski, i cili pak ditë më parë u kërcënua me jetë, fajësoi drejtpërdrejt kryeministrin Gruevski për gjendjen e rëndë të medias në Maqedoni.

“Çmimin e heshtjes ndaj tentimit për të na kontrolluar do ta paguajnë gjeneratat e reja. Kam dëgjuar se disa kolegë gazetarë nga mediat pro-qeveritare janë arsyetuar tek opozita se i nënshtrohen urdhërave të pushtetit për shkak se kanë fëmijë! Unë the se nëse heshtim ndaj kërcënimeve, ne do të lejojmë që kjo situatë të shndërrohet në vlerë, në atë mënyrë do të dëmtojmë më së shumti fëmijët tanë”, deklaroi Jovakovski.

Ndikimin e qeverisë së Gruevskit në media, opozita maqedonase e ka zbuluar përmes publikimit të disa bisedave të përgjuara telefonike midis kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij me drejtuesit e mediave kryesore në vend.

Sipas opozitës, në bisedat e prezantuara dëgjohet se si në televizionet më me ndikim në Maqedoni transmetohen vetëm ato lajme për të cilat jep leje qeveria.

Top Channel