Juventus, nëse nuk fiton sot, festën e titullit pa tifozë në Xhenova

29/04/2015 00:00

Vetëm pak orë nga sfida Juventus-Fiorentina, e cila mund t’i japë zyrtarisht edhe titullin e radhës kampion të Italisë bardhezinjve, për ta vjen një lajm i “rëndë”. Festa bëhet ose sot, me tifozë, ose të shtunën e 2 Majit kundër Sampdorias, por pa tifozë.

Pas derbit me Torinon, organi mbikëqyrës kombëtar ndaj eventeve sportive iu ka mbyllur dyert e Xhenovës bardhezinjve, duke e argumentuar këtë vendim me “tentativa për agresion ndaj tifozerisë rivale dhe përdorim të materialeve shpërthyese të rrezikshme brenda stadiumit”.

Por, jo vetëm kaq, sepse dënimi mund të jetë edhe më i rëndë. Ende nuk është marrë në konsideratë në listën e sanksioneve “bomba” e shpërthyer mes tifozëve, e cila është ende “objekt diskutimesh”. Kjo çështje është kompetencë e Drejtësisë Sportive, e cila mund t’ia mbyllë dyert tifozëve ultras “Curva Sud” edhe për dy ndeshje të tjera në “Juventus Stadium”.

Megjithatë, edhe Torino nuk ka dalë e paprekur nga ndëshkimi. Në sfidën e radhës ndaj Empolit (sonte luan me Palermon në transfertë) do të ketë një mbyllje të pjesshme për tifozët vendas, duke qenë se është ndaluar shitja e biletave dhe pritet të futen në stadium vetëm të abonuarit. Ndërkaq, për ndeshjen tjetër ndaj Xhenoas “pritet të vlerësohet situata pas zhvillimeve që do të ndodhin në sfidën Torino-Empoli”.

Top Channel