Shqiptari “i pabindur” sfidon ligjin penal italian

29/04/2015 00:00

Një shqiptar “i pabindur” sfidon ligjin penal italian duke pasuruar jurisprudencën e Bashkimit Europian për politikën e emigracionit në fushën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë.

Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian interpretoi Direktivën Europiane në favor të tij, duke e mbrojtur nga burgu pse shkelte “Italinë e ndaluar”.

Fillimisht Skerdjan Çela u arrestua në Itali në gusht 2011, për tentativë vjedhjeje dhe u dënua me një vit burg, vendim ky që u pezullua.

Ai pagoi vetëm 400 euro gjobë dhe u urdhërua të kthehej menjëherë në Shqipëri, ndërsa Kuestura e Firences i ndaloi atij të shkelte në Itali për 3 vite.

Pak muaj më pas, në shtator 2012, Çela u largua vullnetarisht nga territori italian, por u rikthye për festën e Shën Valentinit vitin e kaluar. Ai u arrestua në stacionin e trenit dhe Prokuroria e Firences kërkoi 8 muaj heqje lirie, bazuar në nenin 13  të Kodit Penal vendas, që parashikon deri në 4 vjet dënim ndaj një të huaji.

Gjykata e Firences iu drejtua Gjykatës së Luksemburgut për të marrë “mendim” për përputhshmërinë me Direktivën Europiane të 2008-s të dënimit të parashikuar nga ligji penal italian mbi burgosjen e një shtetasi të një vendi të tretë mbi të vetmen bazë se, pasi është kthyer nga Vendi Anëtar drejt vendit të Origjinës, sipas procedurave, ai ka hyrë përsëri në territorin e të njëjtit Vend Anëtar.

Por, megjithëse vendet anëtare gëzojnë kompetenca mbi çështjet penale që lidhen me emigracionin ilegal dhe qëndrimin e paligjshëm, gjykatësi polak, Maciej Szpunar, e interpretoi në Opinionin e Mbrojtjes Gjenerale se, Direktiva Europiane qëndron mbi ligjin nacional në këtë rast, me argumentimin se zbatimi i dënimit sipas ligjit italian do të pengonte efektshmërinë e kësaj Direktive (2008/115), që synon kthim dhe riatdhesim të njerëzve në respekt të dinjitetit dhe të drejtave themelore.

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian kishte vetëm 3 referenca për jurisprudencën e përdorur më parë mbi kthimin dhe procedurat e riatdhesimit, por gjykatësi Szpunar analizoi se, asnjë prej tyre nuk është e vlefshme për rastin Çela, i cili dënohej me burg vetëm pse rishkelte në të njëjtin territor të ndaluar, një opsion që gjente mbështetjen e Komisionit Europian dhe të qeverive të Italisë, Çekisë, Gjermanisë, Greqisë, Norvegjisë dhe Zvicrës, në shënimet bashkëngjitur opinionit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian.

 

Top Channel