Sigal Prishtina, kampione e Ligës Ballkanike, mposht 80-71 Rilskin

29/04/2015 00:00

Sigal Prishtina hyn në histori. Ndoshta disa mund të mos e njohin, por është klubi më i suksesshëm i basketbollit kosovar, i cili është shpallur kampion i Ligës Ballkanike, pas fitores 80-71 ndaj kundërshtarëve bullgarë të Rilskit, pikërisht në Samokovë të Bullgarisë.

Basketbollistët e ekipit prishtinas koleksionojnë kështu suksesin më të madh në historinë e klubit, por edhe të Kosovës dhe mbarë shqiptarëve. Sfida mes Rilskit dhe Sigal Prishtinës është luajtur, siç raportohet, në praninë e mbi 3000 tifozëve, ku nuk kanë munguar as duelet në shkallët e pallatit të sportit.

Sa i përket ndeshjes së basketbollit, perioda e parë është mbyllur në epërsinë e vendasve 26-22, ndërsa në të dytën prishtinasit kanë marrë frenat e lojës në duart e tyre, duke shkuar drejt pushimit të ndeshjes me epërsinë 36-38.

Në pjesën e tretë gjithçka ka folur për vendasit, të cilët rikthehen në zotërimin e lojës duke e mbyllur këtë periodë me rezultatin 57-52, por në 10 minutat e fundit të saj nuk kanë mundur të përballojnë “furinë” e prishtinasve, të cilët shkuan deri në 10 pikë epërsi, për ta mbyllur krejt takimin me shifrat 71-80.

Kampionët e Kosovës rrëmbejnë kështu trofeun e Ballkaniadës, në atë që është vetëm sezoni i dytë i pjesëmarrjes së tyre. Jordan Hulls është shpallur pikëshënuesi më i mirë për Sigal Prishtinën, ndërsa ky sukses ka shkaktuar edhe festime të jashtëzakonshme në rrugët e Prishtinës.

Top Channel