Mustafa e Thaçi përgëzojnë Sigal Prishtinën për triumfin: Sportistët tanë me potencial

29/04/2015 00:00

Të menjëhershme kanë qenë reagimet në rrjetet sociale të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, si dhe zëvendësit të tij, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, pasi kanë mësuar suksesin e basketbollistëve të Sigal Prishtinës në finalen e Ligës Ballkanike, të cilët mposhtën bullgarët e Rilskit 80-71.

Kreu i ekzekutivit Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka përgëzuar lojtarët e Prishtinës për titullin kampionë të Ballkanit. “Sonte Prishtina na gëzoi me trofeun e parë ndërkombëtar, në kuadër të Ligës Ballkanike. Ju lumtë djema! Është dashur një punë e madhe për të arritur këtë rezultat, por gjithashtu edhe për ndërkombëtarëzimin e këtij sporti”, shkruan Mustafa.

Duke iu rikthyer paksa të shkuarës, kryeministri kosovar shton se “padrejtësisht kemi qenë për një kohë të gjatë të izoluar nga arena sportive ndërkombëtare, por falë punës që po bëhet tashmë, po arrijmë të bëhemi pjesë e rëndësishme e hartës botërore të sportit”. Ai mbyll urimin e tij me fjalët “shpresojmë që së shpejti të marrim trofe edhe në sportet e tjera”.

Edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka shprehur gëzimin e tij me fitoren e Sigal Prishtinës ndaj Rilskit në Bullgari. Thaçi, edhe pse jo i pranishëm në finalen e kësaj Ballkaniade, për shkak se po qëndron në Vatikan, nga rrjeti social Facebook e ka quajtur këtë sukses si tepër të madh për sportin kosovar.

“Kupa është e jona! Sigal Prishtina është kampion i Ligës Ballkanike në basketboll. Sukses i madh për sportin kosovar dhe paralajmërim për potencialin e sportistëve tanë në arenën sportive ndërkombëtare. Urime KB Prishtina, urime “Plisat”, urime Kosova! Gëzuar!”, ka qenë mesazhi i Thaçit, i cili përmend në veçanti edhe tifogrupin nga Prishtina të “Plisave”.

Top Channel