Juventus fiton ndaj Fiorentinës, por Lacio i shtyn festën

29/04/2015 00:00

Shtyhet sërish festa e titullit kampion për Juventusin. Në “Juventus Stadium” skuadra e Allegri-t mund 3-2 Fiorentinën, por mbetet 14 pikë nga Lacio kur kanë mbetur dhe 5 javë deri në fund të kampionatit.

Rodriguez kalon në avantazh skuadrën Fiorentinën në minutën e 33-të me penallti, por më pas bardhezinjtë përmbysin gjithçka me Llorente-n që barazon, më pas Tevez i jep kryesimin. Në pjesën e dytë Rodriguez humbet një penallti, ndërkohë që Tevez shënon golin e tretë. Në fund të takimit Ilicic arrin të shënojë sërish duke ngushtuar shifrat e ndeshjes në 3-2.

Milani vazhdon rënien e lirë pasi mundet 1-3 nga Xhenova në “San Siro”. Skuadra e Inzaghi-t nuk po arrin të reagojë dhe kjo ishte një tjetër figurë e keq.

Bertolacci kalon miqtë në avantazh, ndërkohë që në pjesën e dytë është ish-milanisti, Niang i cili devijon një top që shndërrohet në golin e dytë. Milani ngushton përkohësisht diferencën me një super gol të Mexes, por vetëm kaq, pasi Menez në minutën e 72-të lë skuadrën e tij me dhjetë lojtarë, ndërkohë që Xhenova shënon edhe golin e tretë me penallti në fundin e takimit.

Lacio e vendit të dytë mposhti Parmën që në 16 minutat e para, duke shënuar 3 gola, me Parolo, Klose dhe Candreva. Në pjesën e dytë vulosi rezultatin në 4-0 Keita. Kjo ishte një fitore mjaft e rëndësishme për Lacion, e cila shkoi në kuotën e 62 pikëve, një më shumë se Roma dhe 6 më shumë se Napoli, i cili do të luajë ndaj Empolit të enjten.

Ndërkohë, Roma fitoi në fushën e Sasuolos me rezultatin 0-3, me gola të Doumbia-s , Florenzi-t dhe Pjanic.

Top Channel