“Enciklopedia e ISIS”, terroristët po forcojnë strukturat në luftën e propagandës

30/04/2015 00:00

Me anë të së quajturës “Enciklopedia e ISIS”, terroristët po i forcojnë strukturat e tyre të fjetura në Perëndim, duke i specializuar ata gjithnjë e më shumë që të mos diktohen nga autoritetet përkatëse.

Gazeta britanike “Mirror” pati akses të plotë në një mal me dokumente, të cilat  tregonin nivelet e frikshme të teknikave që xhihadi përdor për të rritur influencën e tij, për të bërë “lavazh truri” apo edhe rekrutime të reja.

Sipas këtyre raporteve është më se e qartë se kalifati islamik ka shpenzuar vite e vite me radhë për të ndërtuar enciklopedinë e tyre të terrorit online, të pasur me materiale nga më të ndryshmet .

Shteti Islamik i mëson ekstremistët  se si të fshijnë gjurmë e tyre dixhitale dhe të shmangin zbulimin nga të gjitha shërbimet e sigurimit. Kjo do të thotë se autoritetet nuk mund të gjurmojnë asnjë vendndodhje apo detaj tjetër që lidhet me shpërndarjen e imazheve apo videove mizore që ata publikojnë në rrjet. Së dyti ekstremistët janë të pajisur me mjete specifike, të cilat i paralajmërojnë ata se janë në rrezikun e pajisjeve spiune si kamerat e fshehta, apo lloje të tjerë regjistruesish. Ndërsa për ata që konsiderohen si qelizat e fjetura me më tepër potencial në perëndim, ISIS ka menduar më shumë.

Kjo enciklopedi i jep akses që të përdorin një rrjet social rus për të komunikuar me figurat më të larta të xhihadit në Siri dhe Irak, ndërsa pjesës tjetër të rekrutimeve i mëson se si të përdorin të quajturin ‘rrjeti i errët’ për të komunikuar me të gjithë terroristët anë e mbanë globit. Këto taktika ilustrojnë se si mbështetësit e ISIS  përpiqen të ecin një hap përpara spiunëve dhe policisë. Autoritet britanike të sigurisë e kanë cilësuar enciklopedinë e ISIS më shumë se sa të rrezikshme.

“Anëtarët e ISIS janë gjenerata e re e Al Kaeda-s. Ata kanë mësuar jo vetëm se si të përdorin internetin dhe smartphone-t, por janë specializuar në shumë fusha të rrjetit”, thotë Shërbimi Britanik i Sigurisë.

Ekspertët i sugjerojnë kryesisht prindërve të fëmijëve që të kontrollojnë herë pas here aparatet e tyre celulare. Kjo sepse ata janë më shumë të rrezikuar për të qenë pre e propagandës online. Sigurisht që interneti është diçka shumë e mirë, u shpreh një ekspert, por fatkeqësisht në të ka edhe njerëz me qëllime të këqija.

Top Channel