Mrekulli nën rrënojat e tërmetit në Nepal, fëmija 4 muajsh shpëtohet pas 22 orësh

30/04/2015 00:00

Një fëmijë 4 muajsh është nxjerrë i gjallë nga rrënojat 22 orë pas tërmetit shkatërrimtar të së shtunës në Nepal.

Foshnja, i seksit mashkull, i cili u nxor i mbuluar nga pluhuri, u gjet nga punëtorët e shpëtimit, pasi kishin dëgjuar klithmat e zbehta të tij.

Ekipet e kërkimit kishin mbërritur në zonën në afërsi të shtëpisë së fëmijës në Katmandu, me shpresën për ta gjetur gjallë djalin e vogël, por ata i humbën shpresat dhe u larguam duke menduar se ai nuk kishte mbijetuar. 

Punëtorët u rikthyen pasi kishin dëgjuar klithmat e fëmijës nën rrënoja dhe menjëherë u nis një operacion për shpëtimin e djalit. Autoritetet raportojnë se fëmija është në gjendje të qëndrueshme, ndërsa fati i prindërve të tij nuk dihet.

Ndërkohë, një tjetër i person i cili kishte mbetur i bllokuar nën rrënoja është shpëtuar ditën e mërkurë, plotë 82 orë pas tërmetit të parë.

Më shumë se 5 mijë persona humbën jetën nga tërmeti 7.8 ballë. Mbi 8 milionë vetë në 39 rajone janë prekur nga tërmeti, thonë zyrtarë të Kombeve të Bashkuara. Të plagosurit, sipas të njëjtave burime, janë mbi 10000.

Shumë nga të mbijetuarit kanë nevojë urgjente për ushqime dhe ujë, ndërsa frika e paslëkundjeve që nuk rreshtin i ka shtyrë njerëzit të presin në radhë të gjata për të marrë autobusët e për t’u larguar nga kryeqyteti.

Top Channel