Beteja për Durrësin, Duma takim me gratë e biznesit fason

30/04/2015 00:00

Kandidatja e PD për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma takoi gratë dhe vajzat që punojnë në një prej bizneseve fason në qytet. Gjatë takimit, Duma u shpreh se Durrësi ka shansin për të kthyer shpresën dhe për të pasur më shumë punë.

“Nuk do t’ju them më jepni votën mua sepse atë do ta bëni si ta ndjeni vetë. Ajo që unë kam detyrë të them është që kemi një shans. E kemi bashkë shansin sot të bëjmë dy gjëra të mëdha. Ta bëjmë Durrësin siç e meriton, një qytet që të sjellë më shumë punë, për fëmijët dhe për vetë ne, me një rrogë më dinjitoze. Dhe këtu falenderoj me mirënjohje biznesin që arrin të mbijetojë edhe në kushte të vështira”, tha Duma.

Ajo shtoi se qyteti dhe rrethinat e tij në bashkinë e re kanë një potencial të vërtetë për të dalë nga varfëria. Nga ana tjetër, Duma premtoi se do të punojë me një model tjetër, që do të jetë më afër qytetarëve dhe biznesit.

“Jetoni në një qytet të mrekullueshëm. Realiteti i një qyteti me port. Realiteti i një qyteti me plazh. Realiteti i një turizmi që mban gjithë turizmin e Shqipërisë përfundon që të jetë më i varfër në përgjithësi sesa mesatarja e Shqipërisë. Nuk mund dhe duhet të mbarojë kalvari që s’keni shpresë nesër. Kam ardhur me shpirt për ta marrë Bashkinë e Durrësit, për të pasur një model si ne, për të pasur një model me dashuri. Ajo që ju kërkoj është ejani me mua në një projekt tjetër, në një tjetër qytet dhe të bëjmë me mirënjohje ndaj këtij biznesi dhe ndaj shumë bizneseve të tjera një gjë, që të nesërmen ta ketë më të mirë”, tha Duma.

Ajo mori mbështetjen e grave dhe vajzave të pranishme, të cilat shprehën shpresën e tyre tek modeli ndryshe i ofruar nga zonja Duma.

Top Channel