Basha: Populli po bashkohet me ne. Tërheqja e ligjit për energjinë, truk

30/04/2015 00:00

Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike e ka shkëputur për një ditë Lulzim Bashën nga takimet me qytetarët dhe prezantimi i kandidatëve për kryetarë bashkie, por kjo nuk do të thotë se munguan mesazhet elektorale.

Sipas zotit Basha, qytetarët po bashkohen rreth opozitës, sepse duan t’i japin fund qeverisjes së mashtrimeve dhe korrupsionit. Për të argumentuar se gjendja po përkeqësohet, kreu i opozitës përdori të dhënat zyrtare nga doganat, që në analizën e opozitës, kanë rënie të frikshme të mbledhjes së të ardhurave nga muaji në muaj.

“Shikoni çfarë ndodh në dogana? Importet janë rritur sipas INSTAT, por të ardhurat për muajin mars ranë me 70 për qind. Marsi rezultoi më keq se shkurti dhe prilli. Kjo është një vjedhje gjigante e parave që duhet të shkonin në buxhetin e shtetit. Ku shkuan? Çfarë janë këta që rrisin në qiell taksën dhe mbledhin pak para për buxhetin!”, tha Basha.

Duke e komentuar si një truk elektoral të qeverisë tërheqjen e saj nga projektligji për sekuestrimin e shtëpive apo bizneseve në rast të mospagesës së një shume të caktuar të faturave të energjisë, Lulzim Basha tha se ky projektligj jo vetëm është një marrëzi antikushtetuese, që cenon pronën e shqiptarëve, por ai tha se në këtë gjendje mjerimi shqiptarët meritojnë më shumë.

“Duhet t’ua bëjmë të qartë qytetarëve se, nëse qeveria bën një hap prapa sot në prag fushate, ajo do ta shumëfishojë arbitraritetin e saj nesër nëse merr votë në zgjedhje. Duhet të lançojmë kudo ofertën tonë, këmbënguljen tonë për uljen e çmimt të energjisë dhe faljen e kamatëvonesave”, theksoi Basha.

Kreu i opozitës shprehu mosbesim tek vullneti i qeverisë për të zhvilluar zgjedhje të standardeve më të larta, përsa kohë sipas tij, po pengohet dekriminalizimi dhe po kandidohen të inkriminuar.

“Njerëzit e thjeshtë në Shqipëri s’po gjejnë më derman as duke kërkuar ushqime me listë, ndërsa kandidati i PS për Bashkinë e Poliçanit, Adriatik Zotka është kallëzuar penalisht për fshehje të pasurisë prej 1.5 milionë euro. Qytetarët burgosen dhe shtyhen drejt vetëflijimit për 30 mijë lekë të vjetra, ndërsa trafikantët e drogës dhe prostitucionit janë kandidatë për kryebashkiakë, si Artur Bushi në Krujë dhe Ervin, alias Elvis Roshi në Kavajë”, theksoi Basha.

Sipas kreut të opozitës, është jetike që Partia Demokratike këto dy muaj të bëjë gjithçka për të rritur besimin e qytetarëve se vota e tyre mund ta ndryshojë jetën për mirë.

“Asnjë votë trafikantëve, tutorëve të prostitucionit, kriminelët dhe vrasësve nga bota e errët e krimit. 21 Qershori është dita e ndëshkimit për qeverinë dhe bashkimit të shqiptarëve për punë dhe dinjitet rreth ofertës sonë të re”, shtoi Basha.

 

Top Channel