Doshi, Prokuroria redukton akuzat, i komunikohet vetëm “kallëzimi i rremë”

30/04/2015 00:00

Prokuroria e Përgjithshme po humbet terren edhe në hetimet në themel kundër deputetit Tom Doshi, jo shumë ditë nga dështimi në Gjykatën e Lartë, ku nga “arrest shtëpie” kolegji shpalli masën “detyrim paraqitje” për të.

Ndërsa i kishin lënë takim për këtë të enjte në orën dhjetë, prokurorët u tërhoqën nga veprat e “kanosjes së dëshmitarit” dhe “deklaratës së rremë”.

Prokurorët i komunikuan vetëm një akuzë deputetit, nga tre që iu referuan më herët kur edhe kërkuan autorizimin e Kuvendit për arrestim.

Por edhe akuza që i ngarkohet, ajo e “kallëzimit të rremë”, nuk lidhet me faktin nëse ka kallëzuar Tom Doshi apo jo në prokurori, por  bazohet në krijimin e videos Bami-Doshi, në të cilën bisedohet për një komplot kundër deputetit.

Duke qenë se gjatë valës hetimore tek Krimet e Rënda Doshi bëri vetëm deklaratë dhe depozitoi një video, pritet që prokurorët të jenë në pozita të vështira për ta përfaqësuar akuzën në Gjykatën e Lartë, për shkak se kanë vetëm një video që nuk është kryer apo depozituar në funksion të një kallëzimi të mundshëm.

Duke marrë shkas edhe nga qëndrimet e mëparshme të Gjykatës së Lartë në lidhje me video-regjistrimet, parashikohet që edhe qëndrimi i gjykatës të mos jetë surprizë.

Por, derisa çështja të përfundojë në duart e gjyqësorit, tashmë lëvizja e radhës u takon avokatëve, të cilët paralajmërojnë se do të dorëzojnë prova të reja që mbështesin qëndrimin e deputetit Tom Doshi.

“E rëndësishme është që prokuroria, nga 3 akuza për të cilat kërkoi arrestimin e zotit Doshi, sot kërkoi vetëm atë për kallëzim të rremë dhe hoqi dy të tjerat. Ne do vijojmë të kërkojmë provat edhe për këtë akuzë, pasi për ne as kjo nuk qëndron. Sa për videon me Durim Bamin, atë zoti Doshi vetëm e ka dorëzuar. Tre akuzat u sajuan vetëm e vetëm për të vendosur në paraburgim Tom Doshin”, deklaroi avokati Ferid Muçaj.

Ndërkohë, deputetit tjetër Mark Frroku, i cili mbahet në spitalin e burgut, do t’i komunikohet akuza të hënën.

Top Channel