Kontrolli i tregut të karburanteve, Rama njofton nisjen e operacionit

30/04/2015 00:00

Qeveria shqiptare ka nisur aksionin e tretë, pas ndërtimeve pa leje dhe vjedhjes së energjisë elektrike, këtë herë për të kontrolluar cilësinë e karburanteve.

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka dërguar një mesazh publik për të gjithë biznesmenët e kësaj fushe, jo vetëm për ata që shesin por edhe për prodhuesit.

“Dola sot këtu, sepse e shoh shumë të rëndësishme që gjithë industria ta marrë këtë mesazh qartë, prerë dhe pa ekuivok. Ne do të mbështesim këdo që bën në këtë sektor sipërmarrje të drejtë dhe të bazuar në ligj, por ne nuk do të pajtohemi me asnjë sipërmarrje që shkel ligjin. Historitë që u kanë ndodhur qytetarëve të thjeshtë me shkatërrimin e automjeteve të tyre, qoftë atyre në zonat ku kjo industri ka bërë dëme të konsiderueshme, duhet të marrin fund. Dhe ne do t’i japim fund, duke i dhënë secilit hakun që i takon”, deklaroi Rama.

Kryeministri e cilësoi këtë operacion si një betejë jetike për shqiptarët dhe ekonominë kombëtare. “Beteja me grabitësit e pasurisë tonë kombëtare dhe me mashtruesit, që u shesin qytetarëve naftë të cilësisë së papranueshme, duke u dëmtuar prej vitesh investimin e tyre në automjete, është betejë jetike për ekonominë kombëtare dhe atë të familjeve, por edhe për cilësinë e mjedisit ku jetojmë”, nënvizoi Rama.

Në këtë operacion janë përfshirë katër ministri. Sipas kryeministrit, do të ketë kontrolle të rrepta që nga hyrja në doganë e karburanteve e deri në momentin që lënda shkon tek shitësit me pakicë. Rama tha se, me tolerancë zero në këtë aksion do të ndalet vjedhja dhe dëmtimi i ekonomisë, buxhetit të qytetarëve dhe ndotja e mjedisit.

Top Channel